Agim Kajmaku, ish-kryetari i Bashkisë së Vorës është arrestuar nga uniformat blu të kryeqytetit dhe mbahet i prangosur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Kajmaku u arrestua në një spital privat në kryeqytet. Agim Kajmaku u shtrua gjatë mesnatës në spital, ndërsa ka qenë avokati i tij që lajmëroi policinë.
Më pas uniformat blu bënë të mundur arrestimin e tij.
Agim Kajmaku ka qenë në kërkim për akuzat e falsifikimit të dokumenteve zyrtare, falsifikim i vulave ose stampave dhe kryerja e funksionit pas përfundimit të mandatit.
Aktualisht dosja ndaj Agim Kajmakut ka kaluar për gjykim dhe procesi gjyqësor ndaj tij është zhvilluar në mungesë. Kajmaku akuzohet nga Prokuroria se ka shkarkuar dy nënkryetarët e Bashkisë, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj, pasi KQZ i kishte hequr mandatin atij, për shkak se kishte fshehur një hetim në Greqi për përdorim të parave false.
Ishte Partia Demokratike që denoncoi publikisht Kajmakun, me pretendimin se kishte fshehur këtë dënim në formularin e Dekriminalizimit.
Edhe pse KQZ i hoqi mandatin, Kajmaku emëroi shefin e tij të kabinetit Gentian Picarin në postin e kryetarit, por Prokuroria thotë se ashtu si në shkarkimi e dy nënkryetareve, edhe në këtë vendim ai ka falsifikuar datën.