Pesë persona janë arrestuar në Cërrik dhe një tjetër është shpallur në kërkim me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit për akuzën e krimit zgjedhor dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Në mesin e të arrestuarve është dhe drejtori i Zjarrfikëses së Cërrikut, Artion Taçi, i cili u vu në pranga nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore. Të arrestuar janë edhe 2 zjarrfikës të tjerë, një përgjegjës i OSHEE Cërrik dhe një specialist i Bashkisë së Cërrikut.
Të arrestuarit dyshohet se kishin marrë pjesë aktive në zgjedhje në një kohë që ligji e ndalon, si dhe u kanë dhënë vërtetime false subjekteve private që kishin detyrime tatimore.
NJOFTIMI I POLICISË:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka vendosur masën e sigurisë të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për shtetasit:
- A.T., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Zjarrfikës në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;
- A.GJ., 43 vjeç, me detyrë punonjës i Zjarrfikëses në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;
- A.XH., 33 vjeç, me detyrë punonjës i Zjarrfikëses në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;
- A.SH., 35 vjeç, me detyrë Përgjegjës i OSHEE Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;
- A.D., 34 vjeç, me detyrë specialist në bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim i shtetasit K.V., 64 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Hetimet në kuadër të këtij procedimi vazhdojnë me qëllim identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në aktivitet të paligjshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.