Bota Arrestohet ‘Eskobari’ i ditëve të sotme në Kolumbi

Arrestohet ‘Eskobari’ i ditëve të sotme në Kolumbi

Autoritetet në Kolumbi arrestuan trafikantin më të kërkuar të drogës, njëkohësisht kreu i organizatës më të madhe kriminale në vend.

Dairo Antonio Usuga, i njohur më mirë si Otoniel, ra në pranga pas një operacioni të përbashkët të ushtrisë, forcave ajrore dhe policisë së Kolumbisë.

Qeveria kishte ofruar një shpërblim prej 800,000 dollarësh për çdo informacion në lidhje me vendndodhjen e tij, ndërsa SHBA vendosi një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.

Presidenti Ivan Duque përshëndeti arrestimin në një fjalim televiziv.

“Kjo është goditja më e rëndë që i është dhënë narkotrafikut këtë shekull në vendin tonë. Ajo mund të krahasohet me rënien e Pablo Escobar në vitet ‘90”, tha ai.

Për Usuga ekzistojnë edhe një seri kërkesash për ekstradim.

“Do doja gjithashtu të vija në dukje se për këtë kriminel ka kërkesa për ekstradim. Le të punojmë me autoritetet për të përmbushur detyrën tonë, për të zbardhur të vërtetën për krimet e tij në vendin tonë”, u shpreh presidenti Duque.

Usuga u bë kreu i Klanit të Gjrit, pasi lideri i mëparshëm, vëllai i tij, mbeti i vrarë në një shkëmbim zjarri me policinë 10 vjet më parë.