Një punonjës i Gardës së Republikës është arrestuar nga policia gjatë një aksioni në Korçë për goditjen e transportit të emigrantëve të paligjshëm.
Në pranga ka rënë 50-vjeçari D.K. banues në Tiranë me detyrë gardist. Bashkë me të është arrestuar edhe pasagjeri A.M. 59 vjeç.
Ata u ndaluan në aksin Pogradec-Prrenjas në dalje të Pogradecit, pasi me makinën Chevrolet të drejtuar nga gardisti, po udhëtonin edhe 5 emigrantë të paligjshëm. Gardisti dhe pasagjeri u kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së kundrejt pagesës.
Po kështu, është goditur edhe një rast tjetër i transportit të emigrantëve të paligjshëm. Në aksin Korçë-Ersekë, u konstatua një furgon Iveco, por drejtuesi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u largua me shpejtësi duke braktisur mjetin në fshatin Drenovë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, u konstatuan 40 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit shoferi u kishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.
Shoferi 35-vjeçar me iniciale A.C. është shpallur në kërkim.