Aktualitet Arrestohet mjeku i Akademisë së Sigurisë në Tiranë

Arrestohet mjeku i Akademisë së Sigurisë në Tiranë

Një mjek i Akademisë së Sigurisë në Tiranë është vënë në pranga ditën e sotme, pasi ai akuzohet për falsifikim dokumentash dhe korrupsion pasiv.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, mësohet se shtetasi me inicialet A.X lëshonte raporte mjekësore të paligjshme për kursantët dhe studentët në këtë Akademi, kundrejt përfitimeve monetare. Mësohet se janë konstatuar plot 45 raste të tilla.

”Gjithashtu, është provuar se mjeku i arrestuar kryente falsifikimin e raporteve mjekësore duke i lëshuar për studentët në kohë të mëparshme si edhe duke i lëshuar personave të tretë pa qenë prezent dhe pa u vizituar tek ai si mjek”, thekson prokuroria.

“Sot më datën 14. 12.2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ekzekutoi Vendimin Nr 2943 datë 13.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni Përgjithshëm Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin A. X. me detyrë mjek në Akademinë e Sigurisë Tiranë, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”; “Falsifikim i dokumenteve shendetësore të parashikuar përkatësisht nga nenet 259/1188/2 të Kodit Penal.

Arrestimi i tij u konkludua pas një hetimi me metoda speciale disa mujor të Drejtorisë së Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u dokumentua veprimtaria e kundraligjshme e mjekut A. Xh., i cili duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjekësore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademisë së Sigurisë.

Gjatë hetimeve të kryera, janë dokumentuar me prova ligjore rreth 45 raste të ndërveprimit korruptiv midis mjekut A.X., dhe studentëve/kursantëve, të cilët për të justifikuar mospjesëmarrjen në procesin mësimor, siguronin fiktivisht raportin mjekësor, kundrejt shumave monetare që varionin nga 1000 deri në 2000 lekë.

Gjithashtu, është provuar se mjeku i arrestuar kryente falsifikimin e raporteve mjekësore duke i lëshuar për studentët në kohë të mëparshme si edhe duke i lëshuar personave të tretë pa qenë prezent dhe pa u vizituar tek ai si mjek.

Të dhënat e hetimeve paraprake, u vlerësuan veçanërisht për shkak të rrethanave të faktit, pasojës dhe rrezikshmërisë së veprës penale, ku kursantët që synohet të dalin në terren dhe të sigurojnë zbatimin e ligjit, edukohen në të kundërt që në embrionin e tyre profesional. Akademia e Sigurisë është vendi ku përgatiten oficerët e rinj të Policisë së Shtetit, të cilët në një të ardhme të afërt do të përballen me forma të ndryshme të krimit dhe do të jenë garantuesit e zbatimin e ligjit.

Për sa sipër, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Tiranë”, njofton Prokuroria.