Aktualitet Arrestohet në Itali me 20 kg kokainë ish-kryebashkiaku Agim Kajmaku

Arrestohet në Itali me 20 kg kokainë ish-kryebashkiaku Agim Kajmaku

Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është vënë në pranga për trafik droge në Itali. Arrestimi i tij është bërë nga policia italiane, pasi është kapur me 20 kg kokainë në zonën e San Benedeto del Tronto.

Sipas Report Tv, që jep edhe lajmin, arrestimi i tij është bërë në 27 maj 2022, ku gjatë operacionit të bërë nga policia italiane i janë gjetur edhe 20 kg kokaine. Ai është prezantuar Policisë Italiane si Agim Kajmaku datëlindja 6 korrik 1971, që është dhe identiteti i ish-kryebashkiakut të Vorës.

Kush është Agim Kajmaku?

Agim Kajmaku ishte shpallur në kërkim që prej 9 nëntorit 2019 dhe akuzohej për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.

Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.

Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e pati deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e PS-së.