Në Aeroportin Ndërkombëtar “El Dorado” në Bogota, autoritetet kolumbiane arrestuan Dajiberto Torres Rosario, një person kyç në operacionet e drogës të Kartelit Ballkanik të drogës.
Për vite me radhë, ai ishte lidhja kryesore për shumë ngarkesa kokaine të dërguara nga terminalet portuale të Guayaquil në Gadishullin Iberik.
Që nga muaji prill i vitit 2024, autoritetet spanjolle kishin lëshuar një urdhër arresti dhe ekstradimi për 41-vjeçarin, shtetas domenikan, i akuzuar për drejtimin e një organizate kriminale të dedikuar për trafikimin e kokainës në Europë. Arrestimi është rezultat i një aksioni të koordinuar nga policia kolumbiane, autoritetet spanjolle dhe ekuadoriane, me mbështetjen e Interpolit.
Sipas hetuesve, Torres Rosario ka pasur prej vitesh një rol kyç në organizimin e kontrabandës së kokainës. Nëpërmjet kompanive që eksportonin fruta dhe produkte bujqësore nga terminalet e portit të Ekuadorit, ai kontrollonte dërgesat e drogës që fshiheshin në kontejnerë me mallra të ligjshme.
Këto dërgesa besohet se kanë mbërritur në Europë me anije transoqeanike, më së shpeshti në Spanjë, nga ku shpërndahej më tej kokaina.
Torres Rosario, i akuzuar për kontrabandën e më shumë se 2600 kilogramëve kokainë të cilësisë së lartë në Spanjë mes viteve 2020 dhe 2022, ka qenë në shënjestër të autoriteteve spanjolle prej vitesh. Roli i tij në kontrabandën e drogës ishte i një rëndësie kyçe për Kartelin Ballkanik, për llogari të të cilit ai kontrollonte të gjithë zinxhirin në Amerikën Latine, nga prodhimi i kokainës deri te kontrabanda në Europë
Ai realizoi një marrëveshje me kriminelët nga Gadishulli Ballkanik, të cilët banojnë në Amerikën e Jugut. Së shpejti ai do të ekstradohet në Spanjë, ku do të përballet me akuzën e trafikut të drogës.