Është arrestuar mbrëmjen e së premtes Gëzim Çela, i njohur ndryshe si baroni i Fushë Kuqes. Çela është një nga personazhet e krimit më të kërkuar në Shqipëri.
Kush është Gëzim Çela?
Gëzim Çela ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit Flakë në det ku u arrestua shefi i Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj.
Çelaj është i njohur si “bosi i trafikut të drogës” që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore.
Në vitin 2015, Çela akuzohej për trafik ndërkombëtar kokaine. Në vilën e tij në Fushë Kuqe u gjet një sasi prej 18 kg kokainë.
Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, përmes edhe territorit shqiptar.
Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Por kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte.
Kur mbërrinte në Shqipëri, droga dërgohej në shtëpinë e Gëzim Çelës, në Fushe Kuqe. Nga ku kishte si destinacion final vendet e Perëndimit. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Çelës, policia ka mundur të sekuestrojë 20 bidona açeton dhe 500 litra perzierës. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës.
Për Çelën ekziston një dënim nga gjykatat italiane me 11 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë, për trafik droge.
Para 1997-ës, Çela ka qenë oficer i Forcave Speciale.