Marklen Haka, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”, është arrestuar nga policia në zonën e Niklës të Krujës.
Marklen Haka akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrës në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
33-vjeçari Marklen Haka u ka shpëtuar 2 atentateve. Në vitin 2022 ai u qëllua me një plumb në nofull. Në 2019, i shpëtoi një atentati në derën e shtëpisë, por si pasojë e të shtënave humbi jetën halla e tij.
Po në vitin 2022 ai ishte ndaluar nga policia sepse u kap me pistoletë, por arresti zgjati shumë pak dhe u lirua nga gjykata. I skeduar si pjesë e grupeve kriminale në Nikël, ai në 2011-n ka qenë i arrestuar si i dyshuar edhe për një vrasje në ish-Bllok, por fitoi lirinë për mungesë të provave.
E këtu dolën në pah aleancat e krimit, interesat e tyre dhe bashkimi i forcave për ekzekutimin e kundërshtarëve.
Një prej këtyre aleancave ishte edhe ajo me Ervis Martinajt dhe ish-deputetit Arben Ndoka për të kryer vrasjen e Durim Bamit, një eksponent i njohur në botën e krimit.
Ndoka donte ta vriste Bamin në shenjë hakmarrjeje pasi dyshonte se ishte një nga ekzekutorët e vëllait të tij në vitin 2017.