Policia Kufitare e Rinasit ka vënë në pranga një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet holandeze.
Policia në një njoftim për mediat sqaron se ka arrestuar 22-vjeçarin me iniciale Mirand Abazi, banues në Belgjikë.
I riu u kap në hyrje të Republikës së Shqipërisë dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, pasi gjatë përpunimit të dokumentacionit dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, rezultoi se ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Holanda, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Vjedhja me dhunë”, “Pastrim parash” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga Kodi Penal i Holandës.
Personi në kërkim ndërkombëtar u dërgua në ambientet e paraburgimit të DVP Tiranë, në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.