Policia e Shtetit ka arrestuar një shtetas rus, luftëtar i ISIS-it, që ishte fshehur në Shqipëri. Në pranga ka rënë shtetasi R. M., 34 vjeç, lindur dhe banues në Norilsk, Rusi, me qëllime ekstradimit drejt vendit të tij.
Burimet zyrtare raportojnë se arrestimi i rusit është bërë falë bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me agjencitë ligjzbatuese partnere dhe ato të inteligjencës.
34-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Rusia për terrorizëm dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste. Ai kishte ardhur si emigrant i paligjshëm në Shqipëri dhe ishte shpallur në kërkim nga Interpol Moska. Gjykata në Nadterechni, Republika Çeçene / Rusi, me vendim penal të datës 8 prill 2015, ka lëshuar urdhër – arrestin për këtë shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë terroriste”, parashikuar nga Kodi Penal rus.
Në Qershor të vitit 2013, R.M., është larguar nga Rusia drejtë Sirisë, ku i është bashkuar ISIS-it. Gjatë kësaj periudhe ai ka qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri.
Materialet e para hetimore të kryera për këtë ngjarje, i janë referuar Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale “Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj”.