Policia e Tiranës njofton se ka vënë në pranga ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj. Sipas njoftimit të bluve të kryeqytetit, arrestimi i tij është bërë në kryeqytet, ndërsa pas kontrollit në banesë, ai është lënë në masën “arrest me burg”, me qëllim ekstradimi.
“DVP Tiranë: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, njoftoi Policia e Tiranës.
Por, pse u arrestua Dritan Goxhaj?
Në një njoftim të Gjykatës Speciale, thuhet se arrestimi i Goxhaj është bërë ditën e sotme, ndërsa lidhet me një vepër penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
“Më 31 korrik 2023, autoritetet e Shqipërisë arrestuan z. Dritan Goxhaj në Tiranë. DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Z. Goxhaj do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin e z. Goxhaj në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë”, njoftoi Gjykata Speciale.