Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi provizor i shtetases greke Athanasia Kyriakou, 39 vjeçe, banuese në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë.
Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Athina, pasi Gjykata e Larisës, Greqi, me vendimin e datës 06.03.2017, e ka dënuar me 2 vjet burg, për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar nga Kodi Penal grek.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Athinën, vijon procedurat për ekstradimin e kësaj shtetaseje drejt Greqisë.
Merr fund arratia e Andi Jankos
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden Gjermani, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit, u bë i mundur arrestimi në Gjermani i Andi Jankos, 36 vjeç, banues në Korçë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 01.03.2017, e ka dënuar këtë shtetas me 12 vite burg, për veprën penale “Mashtrimi me pasojë të rëndë”, kryer më shumë se një herë. Janko iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, thotë Policia e Shtetit në një njoftim për mediat.