Aktualitet Arrestohet një shtetas shqiptar në Mal të Zi, i gjenden një milion...

Arrestohet një shtetas shqiptar në Mal të Zi, i gjenden një milion euro cash në kamion

Një shtetas shqiptar është arrestuar nga Departamenti i Policisë Speciale në Mal të Zi, pasi në kamionin që ai drejtonte janë gjetur rreth një milion euro cash.

Fillimisht agjentët malazezë kanë gjetur rreth 815.000 euro gjatë kontrollit të kamionit me ngarkesë që drejtohej nga shtetasi shqiptar me iniciale M. T.

Ndalimi i kamionistit nga Shqipëria është bërë në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit nga krahu i palës malazeze

Më pas në një kontroll më të imtësishëm nga Drejtoria doganore u gjetën edhe 135.000 euro të tjera. Kontrolli i mjetit është iniciuar nga Prokuroria Speciale e Shtetit.

“Paratë ishin të fshehura në ngarkesë dhe për shkak të ekzistencës së dyshimit se ato kanë ardhur nga veprimtari kriminale dhe se origjina e tyre është fshehur me transferimin e tyre dhe kështu është kryer vepra penale e pastrimit të parave, në shumën totale prej rreth 950.000 euro, i dyshuari është privuar nga liria dhe prokurori special pas seancës i ka caktuar masën e ndalimit deri në 72 orë nga momenti i heqjes së lirisë”, shkruan Vijesti.