Policia e Vlorës ka arrestuar njërin prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Tauland Gjikaj ditën e sotme.
Ai është 44-vjeçari Hansi Jonuzi, njofton policia, teksa bën me dije se ka sekuestruar edhe armën e vrasjes, një kallashnikov. U sekuestrua edhe automjeti tip Ford me të cilin autori tentoi të largohej.
Automatiku u gjet në sediljen e pasme të këtij automjeti. Hansi Jonuzi u identifikua nga dëshmitarë okularë në vendngjarje, të cilët i përshkruan policisë pamjen e autorit që hapi zjarr ndaj 31-vjeçarit Gjikaj.
Ndërkohë, hetuesit janë duke punuar për të identifikuar dhe për të arrestuar autorin tjetër të këtij krimi.
Tauland Gjikaj ishte duke ecur në rrugë, kur u qëllua me kallashnikov. Fatmirësisht plumbave u kanë shpëtuar disa qytetarë që qëndronin në një lokal dhe të tjerë kalimtarë që po ecnin në rrugë në afërsi të vendit të ngjarjes.
Viktima Tauland Gjikaj ka qenë një emër i njohur për autoritetet. Ai rezulton të ketë qenë i përfshirë në një përplasje me armë në Vlorë në Shkurt të vitit 2018. Ngjarja e tre viteve më parë ndodhi në lagjen “28 Nëntori”, pranë Kishës Ortodokse. Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur tre persona. Gjikaj u arrestua bashkë me dy të tjerë me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe tentativës së vrasjes. Policia njoftoi asokohe se dy grupet rivale që u përplasën me armë teksa po lëviznin me dy automjete të ndryshme.
Në muajin Mars ndaj Gjikës ndryshoi masa e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie. Edhe pse ishte në arrest shtëpie, ai u kap nga Policia e Vlorës pak muaj më vonë, konkretisht në Qershor të vitit 2018, duke lëvizur me armë në makinë. Pas arrestimit në muajin Qershor për armëmbajtje pa leje, gjykata e la sërish në arrest shtëpie.