Një oficeri i policisë gjyqësore me iniciale Sh.C në Komisariatin e Policisë së Dibrës, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe vendim të GJKKO, pasi dyshohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Ndërkohë për shtetasin A.P në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, GJKKO ka caktuar masën “detyrim paraqitje”, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” edhe ndaj shtetasit nën hetim F.K., si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë ”, masë e cila ende nuk është ekzekutuar.
Hetime ndaj tyre, siç njofton SPAK nisi në vitin 2022 për veprat penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, “Shpërdorim detyre”.
Sipas SPAK nga analiza e veprimeve hetimore të kryera deri tani rezulton se: Shtetasi nën hetim Sh.C., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Dibër i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit nën hetim F.K., shumën prej 3000 mijë euro për të favorizuar pozitën procedurale të shtetasit A.Sh. në çështjen penale kundër tij, [konkretisht procedimi penal nr. 9/2020 i Prokurorisë Dibër].
“Shtetasi nën hetim A.P., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, i ngarkuar me hetimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasit A.Sh., me veprimet dhe mosveprimet e tij nuk ka përmbushur në mënyrë të rregullt detyrën ligjore (psh; duke qenë në dijeni të komunikimeve me përmbajtje korruptive, ai nuk ka kryer në kohën e duhur ndonjë veprim për referimin e tyre në prokurorinë përkatëse, por ka vepruar pothuaj dy vite më vonë, vetëm kur viktima e veprës penale e shprehu këtë fakt në Gjykatë, pasi është njohur me aktet, nuk i ka referuar komunikime me interes dhe nuk është kryer identifikimi i personave të dyshuar për kryerjen e akteve korruptive edhe pse komunikimet e bëni të qartë këtë fakt)”, njofton SPAK.