Aktualitet Arrestohet për korrupsion drejtori i Tatimeve në Korçë

Arrestohet për korrupsion drejtori i Tatimeve në Korçë

Drejtori i Drejtorisë së Tatimeve në Korçë, Th.T. 58 vjeç, dhe specialisti i regjistrimit në Drejtorinë e Tatimeve në këtë qark, S.B. 39 vjeç, janë arrestuar nga policia pas hetimeve nga Prokuroria Antikorrupsion.

Ata u vunë në pranga pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur në mungesë masën e sigurisë “arrest në burg”.

Nga hetimet e SPAK ka dyshime të arsyeshme se drejtori dhe specialisti i Tatimeve në Korçë janë të përfshirë në vepra korruptive.

Gjatë hetimeve të kryera përgjatë një muaji, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi vlere monetare dhe dokumentacion që vërteton implikimin e dy punonjësve në veprimtari korruptive.

Sipas SPAK, të dyshuarit kundrejt rryshfetit i kanë premtuar disa subjekteve për të mos ushtruar kontroll të thelluar për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore.

Hetimet e Prokurorisë vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.