Ish-ministrja kroate për Zhvillimin Rajonal dhe Fondet e BE-së, Gabrijela Zalac është arrestuar nën akuzën e korrupsionit. Krahas saj janë ndaluar dy biznesmenë si dhe drejtori për Financat dhe Agjencinë Kontraktore SAFU, Tomislav Petriç. Operacioni raportohet se është ndërmarrë nga Prokurori Europian në Kroaci, që monitoron shpenzimin e fondeve të BE-së në vend.
Të katër personat janë arrestuar në kuadër të çështjes së quajtur “Software” sipas së cilës dyshohet se personat në fjalë kanë kryer shkelje financiare duke kryer mbipagesa për një sistem informatik në Kroaci.
Në vitin 2019 u raportua në mediat kroate se Ministria që drejtonte znj. Zalac kishte paguar 1.7 milionë euro për një software, çmimi origjinal i të cilit ishte 400 mijë euro. Më tej ministrja u përfshi në disa skandale, mes të cilëve edhe drejtimi i automjetit me një patentë të parinovuar dhe shkaktimi i një aksidenti rrugor. Po kështu, bashkëshorti i saj akuzohet se ka kërcënuar gazetarët, episod që ka sjellë reagimin e shoqatave të gazetarëve.