Prokurori i Sarandës, Sali Hysa, është arrestuar mëngjesin e së shtunës me urdhër të SPAK. Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit thuhet se në pranga janë vendosur edhe 5 persona të tjerë të akuzuar për vepra të ndryshime penale.
Hetimet nisën nga SPAK rreth një vit më parë kur nën vëzhgim u vendos një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në trafikun e drogës.
Nga hetimet doli në dritë një aferë korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Prokurori i Sarandës kishte nën hetim shtetasin Emiljano Mirani, i akuzuar për plagosje të lehtë me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta, por ai e ka pushuar çështjen me ndërhyrjen e motrës së të dyshuarit Elsona Papa që dyshohet se i dha ryshfet prokurorit për të liruar vëllain.
Papa është lënë në “arrest shtëpie” nga gjykata. Përgjimet zbuluan edhe trukimin e ndeshjes së futbollit Selenica-Përmeti. Takimi ishte paracaktuar që Përmeti të fitonte 1-0 me penallti dhe ashtu ndodhi. Për këtë është arrestuar Qerim Ruçi, arbitër futbolli dhe Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv “Përmeti” si dhe Julian Zera.
Po ashtu nga përgjimet u zbulua edhe një tjetër rast korrupsioni kur oficeri i policisë gjyqësore, Napolon Hodaj, ndihmoi një të dyshuar për vjedhje me dhunë dhe plagosje t’u shpëtonte akuzave. Për këtë ndihmoi edhe ish-eksperti i mjekësisë ligjor, Hysen Korenica që akuzohet për ekspertim të rremë dhe që do të hetohet të gjendje të lirë.
Me urdhër të SPAK janë kryer kontrolle në zyrat dhe banesat e personave të arrestuar për sigurimin e të tjera provave në ndihmë të hetimit.