Përmbaruesi privat Fatos Alimadhi është arrestuar nga Policia e Tiranës për shpërdorim detyre, ndërsa dy kolegë të tjerë të tij janë proceduar penalisht në gjendje të lirë në kuadër të aksionit “Account”.
Në pranga ka rënë 54-vjeçari Fatos Alimadhi i cili akuzohet se në detyrën e tij si përmbarues privat ka vendosur bllokimin e llogarive bankare pa njoftuar më parë poseduesit e këtyre llogarive.
Mësohet se një qytetar kishte marrë kredi në emër të një subjekti dhe pas disa kohësh kishte ndërruar jetë.
Por sipas dokumenteve të nënshkruara, kredinë e mbulonte siguracioni i jetës. Ndërsa përmbaruesi privat kishte bllokuar llogaritë e familjarëve të të ndjerit pa i njoftuar.
Bashkë me përmbaruesin privat Fatos Alimadhi, u proceduan penalisht edhe dy përmbaruesit e tjerë privat S.D. dhe P.Q., të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Përmbaruesi privat Fatos Alimadhi është arrestuar edhe më parë nën akuzat për mashtrim me qytetarët. Në vitin 2015, Prokuroria e Tiranës e dërgoi dosjen për gjykim ndaj Fatos Alimadhi duke e akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda duke përvetësuar 4.5 milionë Lekë të reja nga disa qytetarë që kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.