eal Madrid hedh një hap të madh për dy nga goditjet më të mëdha të verës në merkato.
Klubi merengues ka arritur të marrë miratimin e sulmuesit francez të Monaco, Mbappe dhe portierit të Milanit, Donnarumma.
Sipas asaj që raporton gazeta “Marca”, tashmë Florentino Perez do të nisë bisedimet me dy klubet që zotërojnë kartonët e lojtarëve, për t’i bindur sa më shpejt.
Më i lehtë do të jetë misioni për portierin italian, të cilit i kanë mbetur vetëm 12 muaj kontratë me Milanin dhe sigurisht që klubi nuk dëshiron ta humbasë me parametra zero në muajin janar.
Shifra për transferimin e 18-vjeçarit është rreth 35 milionë euro dhe Reali ka gati një kontratë afatgjatë sepse Donnarumma konsiderohet portieri që mund të sigurojë të ardhmen e skuadrës për të paktën 10-15 vitet e ardhshme.
Ndryshon situata për sulmuesin e Monaco, Kilian Mbappe. Talenti i skuadrës së Leonardo Jardim ka një çmim disa herë më të lartë dhe transferimi i tij në “Bernabeu’ mund të thyejë çdo rekord.
Monaco kërkon të arkëtojë 130 milionë euro nga shitja e tij, por kampionët e Europës nuk shkojnë më shumë se 110 milionë.
Marrëveshja favorizohet nga marrëdhëniet e mira mes dy klubeve pasi në të shkuarën transferimet në aksin Montekarlo-Madrid kanë rezultuar të suksesshme.
Gjatë ditëve të ardhshme, presidenti Perez dhe trajneri Zidane do të takohen për të vendosur pikat mbi “I”, por me shumë mundësi, ish-mesfushori francez do t’i pranojë me kënaqësi dy dhuratat e presidentit për skuadrën e tij që sezonin e ardhshëm synon të përsërisë sukseset në Kampionat dhe Champions League.