Spektakël, gola dhe fitore e madhe e Arsenalit përballë Manchester United në “Emirates”. Skuadra e Mikel Artetës zhvilloi një ndeshje të madhe dhe në fund festoi me tifozët pas suksesit 3-2 ndaj “Djajve të Kuq”.
50 pikë dhe vendi i parë në renditje për Arsenalin pas fazës së parë, duke vendosur një rekord historik pikësh në gjysmën e një sezoni në Premier League.
Manchester City mbetet pesë pikë pas, ndërkohë që kampionët në fuqi kanë luajtur një ndeshje më shumë.
Haaland i dhuroi sot një fitore spektakolare Manchester City-t, që del me pikë të plota në përballjen me Wolves. “Citizens” triumfuan me rezultatin 3-0, me autor të të tre golave sulmuesin norvegjez.
Vendasit diktuan ritmin e sfidës, megjithatë u desh minuta e 40’, që pas një asisti nga De Bruyne, Haaland ta dërgonte topin në rrjetë dhe t’i dhuronte avantazhin ekipit të tij.
Më pas në minutën e 49’ norvegjezi do të gjente sërish rrugën drejt rrjetës, duke shënuar nga pika e bardhë e penalltisë.
Teksa vetëm pesë minuta më pas, duke shfrytëzuar një pakujdesi të Jose Sa, Haaland shënoi golin e tretë personal dhe të tretin për skuadrën e Guardiolës.