Arsenal triumfon ndaj Leicesterit. “Topçinjtë” e Mikel Artetës ia dolën të fitojnë 0-1 në një transfertë të vështirë dhe të ruajnë distancën e sigurisë prej 5 pikësh ndaj Manchester Cityt.
Londinezët e nisën vrullshëm ndeshjen dhe shënuan me Trossard në minutën e 26’, por festa u ndërpre nga VAR-i që anuloi golin për një faull në sulm.
Megjithatë goli me vlerë tre pikëshe do të vinte që në nisje të pjesës së dytë, këtë herë me autor brazilianin Gabriel Martinelli.
Ky i fundit mposhti portierin vendas dhe shënoi një gol me vlerë 3-pikëshe për Arsenalin, që kryeson me 57 pikë, 5 më tepër se Manchester City.
Zhgënjeu në shtëpi Evertoni, që këtë pasdite u mposht me rezultatin 0-2 nga Aston Villa dhe mbeti në zonën e ftohtë të renditjes. Miqtë nga Birmingham shënuan dy herë në pjesën e dytë me Watkins dhe Buendia, duke marrë një 3-pikësh me mjaft vlera.
Në sfidat e tjera të mbijetesës, Leeds United mposhti minimalisht 1-0 Southamptonin, ndërsa West Ham shfryu ndaj Nottingham Forest, duke triumfuar me rezultatin e thellë 4-0.