Trajneri i ri i Arsenalit, Unai Emery ka zyrtarizuar edhe hierarkinë e skuadrës së tij në fushë dhe në dhomat e zhveshjes, në një rol që ka ndikim edhe në marrëdhëniet me drejtuesit.
Tekniku i skuadrës londineze ka emëruar mbrojtësin Laurent Koscielny si kapiten të parë, ndërsa një nga katër zëvendëskapitenët e klubit është edhe shqiptari, i cili luan për Kombëtaren e Zvicrës, Granit Xhaka.
Kosicelny, i cili tani është i lënduar dhe i padisponueshëm, ishte kapiten edhe sezonin e kaluar në vend të Per Mertesackerit, i cili dha lamtumirën në fund të sezonit, duke marrë rolin e menaxherit në akademinë e klubit.
“Kapiteni i skuadrës është Laurent Koscielny, i cili është i lënduar për momentin. Pas Laurentit, kapitenët e tjerë janë Petr Cech, Aaron Ramsey, Mesut Ozil dhe Granit Xhaka”, ka thënë Emery.
“Dua udhëheqës në skuadër, çdo lojtar duhet të ndihet si kapiten në çdo moment për të treguar aftësinë e tij në lidership. Por, për momentin, këta 5 lojtarë e kanë mundësinë për të qenë kapitenë”, tha trajneri i skuadrës së Arsenalit.