Presidenti i Bashkimit Afrikan Macky Sall deklaroi se Afrika nuk është “kundër Ukrainës”, një vend “nën agresion”, por ai theksoi se vendimi i shumë vendeve afrikane për të mos marrë anën në atë luftë është një reagim ndaj indiferencës së komunitetit ndërkombëtar ndaj problemeve të kontinentit të tyre.
“Afrika nuk është kundër Ukrainës dhe nuk duhet të kemi përshtypjen se afrikanët janë të pandjeshëm ndaj situatës në atë vend. Nuk është aspak kështu”, tha senegalezi në edicionin e tetë të forumit ndërkombëtar në Dakar, një mbledhje e liderëve afrikanë dhe ekspertëve të sigurisë.
“Afrikanët thonë se, në të njëjtën kohë që Ukraina është në luftë, nën pushtim dhe sulm, Afrika është përgjithmonë nën sulme terroriste,” shtoi ai, më pas foli për mungesën e solidaritetit ndërkombëtar në krizën ekonomike që prek kontinentin dhe sëmundjet e tij.
“Jemi në vitin 2022, nuk është më epoka e kolonive. Jemi në vitin 2022, ku vendet, edhe pse të varfra, kanë dinjitet të barabartë. Ne duhet t’i trajtojmë problemet e tyre me të njëjtin respekt”.
Sall përsëriti thirrjen për përfaqësim më të mirë të vendeve afrikane në organizatat ndërkombëtare, si Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ose formati G20.
Përdorimi i fjalës “agresion” për Ukrainën është një ndryshim i rëndësishëm në diskursin e presidentit të Bashkimit Afrikan, raporton AFP.
Sulmi rus ka ndarë vendet afrikane, siç tregohet në votën e OKB-së në shkurt 2022.
Pothuajse gjysma e tyre abstenuan ose nuk morën pjesë në votimin e 12 tetorit, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dënoi aneksimin e paligjshëm të territorit ukrainas nga Rusia.
Bashkimi Afrikan është aleanca pasardhëse e Organizatës së Unitetit Afrikan (OAU), e themeluar në vitin 1963 dhe e bazuar në idenë e bashkimit, e cila u mbrojt drejtpërdrejt nga Kwame Nkrumah, presidenti i parë i Ganës.
Për shumë në Afrikë, ai mbetet një simbol i anti-kolonializmit dhe modernizimit të shoqërisë afrikane.
Në vitin 2002, organizata u rrit në Bashkimin Afrikan. Sot ajo mbledh të gjitha vendet afrikane dhe mbron “një Afrikë të integruar, të pasur dhe paqësore, të udhëhequr nga qytetarët e saj, si një forcë dinamike në arenën botërore”.
Selia e saj është në kryeqytetin etiopian Addis Ababa.
Bashkimi Afrikan konsiderohet një organizatë me fuqi të kufizuar në Afrikë, veçanërisht pasi shumica e fondeve në buxhetin e tij vijnë nga donatorë si Bashkimi Evropian dhe OKB-ja, për këtë arsye ai perceptohet si i varur nga fuqitë e jashtme.