Deputeti Bardhyl Kollçaku ka renditur për Euronews Albania arsyet pse NATO është e interesuar për baza ushtarake në Shqipëri.
Teksa komentoi mundësinë e baze ushtarake të NATO-s në Porto Romano të Durrësit, ish-komandanti i Forcave të Armatosura tha se vendet me të cilat kufizohet Shqipëria kanë influencë ruse.
Sipas tij, në Greqi dhe Bullgari ka asete dhe prezencë ruse dhe kjo është një arsyet që NATO kërkon baza në vendin tonë.
“Po të shikojmë në kufirin jugor ne kemi Greqinë, Baza e Pierut zotërohet 100% nga kinezët. Baza e Selanikut 70% nga asetet ruse, Portet e Varnës në Bullgari apo të Kostancës, që ka prezentë ruse, Durrësi plotëson jo vetëm sigurinë dhe aksesin tokësor më të shkurtër për të përforcuar me forca dhe mjete trupat në kufirin lindor të aleancës. Me vendimin e ri do të kemi shtim të vendeve”, u shpreh Kollçaku.
Ish-komandanti i Forcave të Armatosura tregoi se baza në Kuçovë do të jetë bazë ajrore taktike rezervë e aleancës për të rritur sigurinë ajrore për operacione.
“Në bazën e Kuçovës ka filluar punimet, është një investim kryesisht i NATO-s. Do të jetë bazë ajrore taktike rezervë e aleancës për të rritur sigurinë ajrore për operacione në mbështetje të misioneve të aleancës në lindje, por edhe për trajnim dhe stërvitje. Për 2 vjet e gjysmë përfundon ndërtimi i kësaj baze”, u shpreh ai.