Artan Hajrizi, të cilit iu gjet pasaporta në taksinë nga e cila mbrëmë u qëlluan ndaj policëve serbë në Loznicë, ka folur nga Gjermania.
Në një intervistë për mediat e Kosovës, Artani pohon se ndodhet prej disa kohësh në Gjermani dhe nuk ka mundësi që të jetë ai autori i ngjarjes.
Por e zbulon vetë identitetin e personit që ka kryer vrasjen e plagosjen. Sipas tij, autori është i vëllai, Fatoni.
“Fatoni erdhi këtu dhe më vodhi dokumentet”, tha Artani gjatë intervistës.
“Jam në policinë e Gjermanisë në Hanover, i kam lajmëruar që m’i kanë vjedhur dokumentet, dokumentet m’i ka marrë se kuletën e la në tavolinë në korridor me çelësa, sepse vëllai ka qëndruar te unë”, tha Hajrizi në një bisedë për Dukagjinin.
Të njëjtën version ka mbajtur edhe babai i dy vëllezërve, Mustafa Hajrizi.
“Fatoni ka shkuar në Gjermani me vëllain e tij dhe i ka vjedhur pasaportën. Artani ka tetë vjet që punon në Gjermani”, tha Mustafa.
Fatoni është dënuar më parë për vrasjen e një ushtari rus, afër Drenicës. Ai është arratisur nëntë herë nga burgu, më e fundit ishte disa javë më parë, kur edhe doli live në rrjetin social “TikTok”.
Kërkimi për kapjen e tij ende vazhdon, ndërsa Policia serbe është e fokusuar në rajonin e Loznicës.