Gazetari Artan Hoxha i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV tha se përveç politikanëve, ka edhe drejtues të medias të cilët Amerika iu ka kthyer vizën.
“Ka pasur raste që drejtuesve të medias iu është ndërprerë viza amerikane. Pra kanë qenë të pajisur me vizë, i kanë thirrur në Ambasadë, u kanë kërkuar pasaportën ia kanë nxjerrë të pavlefshme dhe ia kanë kthyer mbrapsht. Kjo gjë ka ndodhur dhe për kolegët tanë”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, tani që Berisha nuk është më i paprekshëm, do të vijë edhe radha e të tjerëve të “ndëshkohen” nga Amerika duke përmendur presidentin Meta dhe ish-ministrat e qeverisë Rama.
“Provat që nevojiten janë të shpërndara në territorin e këtij vendi. Që nga 150 të vrarët në Tropojë, që nga 3500 të vrarët e 97-ës, ngjarja e Gërdecit, e duke përmendur dhe ekzekutimet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të cilat janë prova që tregojnë se Berisha është i zhytur deri në fyt, jo në prova kriminale por është i zhytur në gjak dhe nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar.
Vota e 2013-është ishte e pamjaftueshme, ishte thjesht ndëshkim politik. Nuk e bënë dot autoritetet shqiptare, e premtoi Rama, nuk e bëri dhe nuk do ta bënte, sepse përsa kohë Berisha ishte i paprekshëm ishte garanci që s’do prekej as Rama.
Ata sipër mbanin njëri-tjetrin në lojë. Fakti që doli nga loja më i paprekshmi, do të thotë se asnjë nuk është më i paprekshëm. I pari është presidenti Meta, ditën që nuk do të jetë më president do ti publikohet e njëjta gjë.
Në deklaratën e Departamentit të Shtetit, për Berishën thuhet se ka ndihmuar aleatët e tij politikë. Aleati politik i Sali Berishës është Ilir Meta sepse ata janë bashkë në gjithë këtë histori.
E njëjta gjë ka për të ndodhur me ish-ministrat e qeverisë Rama që nuk janë më ministra, sidomos për akte korruptive. E para gjë që të bën Amerika, të zhvesh nga pasuria që mos të kesh mundësi të blesh, të korruptosh”, tha Hoxha.