Dy vite kërkime dhe plot 100 milionë lekë shpërblim për informatorin mbi vendndodhjen e Balilit, nuk bënë dot të mundur arrestimin e këtij të fundit, deri në momentin që “Eskobari i Ballkanit” vendosi të vetëdorëzohej.
I ftuar në emisionin “Top Talk”, gazetari i kronikës, Artan Hoxha zbuloi edhe detaje nga mënyra se si Klement Balili u shmangej tentativave për arrest.
Ai zbuloi edhe disa batuta të bëra me “Eskobarin e Ballkanit”, në momentin që e intervistoi pak para se Balili të vetë-dorëzohej në organet e policisë.
“Në fakt na u desh të krijojmë një histori, për të shkuar të intervistonim Balilin dhe gjithçka u bë në mënyrë top sekrete. Balili kamuflohej në mënyrë perfekte, në mënyrë individuale.
Ai mundohej të bënte një jetë të thjeshtë dhe të mos ekspozohej, ndaj ia ka dalë në mënyrë perfekte të jetojë mes nesh, pa rënë në sy të policisë”, tha Hoxha.
Ai shtoi edhe mbështetjen e fortë që Balili gëzonte në komunitetin e fshatit ku jetonte, ku asnjë prej banorëve nuk tentoi të merrte shpërblimin prej 100 milionë lekësh.
“Klement Balili kishte një mbështetje shumë të fortë në komunitetin ku jetonte, në fshatin Stiar, por edhe masa të shumta sigurie, për të shmangur operacionet policore.
Në momentin e intervistës, i thashë se unë mund të njoftoja policinë dhe të fitoja 100 milionët e shpërblimit, por m’u përgjigj qetësisht, duke thënë se nuk kisha asnjë shans. Ai kishte përdorur një pajisje që bllokonte çdo mjet komunikimi, ndërsa edhe për të shkuar në vendin ku strehohej Balili, ishte shumë e vështirë”, tregoi Artan Hoxha.