Artan Hoxha është zgjedhur Rektor i Universitetit të Tiranës.
Në një reagim të bërë në Facebook, Hoxha ka falenderuar të gjitha ata që mbështetën kandidaturën e tij, teksa shton se pavarësisht rezultatit, sot ka fituar UT.
“Të nderuar kolegë e studentë!
Më lejoni të falenderoj gjithsecilin prej jush, që nëpërmjet votës suaj, sot keni shprehur vullnetin për të ardhmen e Universitetit të Tiranës.
Së bashku demonstruam sërish se UT nuk influencohet nga sjelljet antiligjore për prishje procesi dhe as nga zhurmat që vijnë nga jashtë tij. Përkundrazi, zhvilloi një proces model, me një pjesëmarrje të personelit akademik mbi 95% dhe të një numri të lartë studentësh.
Jam i lumtur që ky proces shënoi rikthimin e UT-së në rrugën e ligjshmërisë dhe normalitetit.
Në vijim, i uroj punë të mbarë komisioneve të numërimit të votave për të përfunduar me sukses procesin.
Sot, pavarësisht rezultatit, UT ka fituar”.