Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame ka reaguar sot pas mosdekretimit nga Presidentit Ilir Meta, të ligjit për Kadastrën.
Lame tha se kjo dëmton shumë qytetarë që presin të regjistrojnë pronat e tyre, ndërsa i kujtuar Presidentit se edhe godina ku ai sot shërben, apo ka shërbyer dikur, janë pa certifikatë pronësie.
“Dje Presidenti i Republikës ktheu për shqyrtim ligjin për Kadastrën. Por dua t’i kujtoj Presidentit se godina e Presidencës nuk ka certifikatë pronësie. Më parë Ilir Meta ka qenë kryetar Kuvendi, por edhe Kuvendi nuk ka certifikatë. Më parë Meta ka qenë edhe ministër i Jashtëm, por as kjo godinë nuk ka certifikatë. Më parë Ilir Meta ka qenë edhe kryeministër, por edhe Kryeministria nuk është e regjistruar, dhe nuk ka as certifikatë pronësie.
Këto janë punët me të cilat do të merret Kadastra, që dje presidenti e ktheu mbrapsht si të rrezikshme. Si t’ua shpjegojmë hallin e presidentit 60 mijë familjeve që presin të mbyllin procesin e legalizimeve, fermerëve që duan të regjistrojnë tokën? Si t’ua shpjegojmë 50 mijë familjeve që presin të ligjërojnë ndërtesat e vjetra? Kthimi i ligjit të Kadastrës penalizon çdo shqiptar që ka problem me pronën. E admiroj aftësinë e Presidencës për të mbushur 14 faqe për ligjin dhe nuk argumenton asgjë.
Njërin prej shqetësimeve do më lejoni ta analizoj. Presidenti shkruan se kryeministri merr atributet. Kaq u desh që ato portalet të shkruajnë se Edi Rama po grabit regjistrin e pronave. Veç kësaj unë u përpoqa të bëj disa verifikime. Garantoj zotin President se punonjësit e Kadastrës do të paraqiten në zyrën e Presidencës për të lëshuar certifikatat e pronësisë”, tha Lame.