Kulturë Artistët, letër politikës: Mos na bëni pjesë të çorbës, meritojmë një Teatër...

Artistët, letër politikës: Mos na bëni pjesë të çorbës, meritojmë një Teatër dinjitoz

Një peticion i firmosur nga 54 artistë të njohur u ka bërë thirrje sot Presidentit të vendit, Ilir Meta dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha që të mos pengojnë projektin e teatrit të ri, sepse sipas tyre, është nevojë urgjente për ta.

Peticioni

Aktorët dhe regjisorët, të kryesuar nga të mëdhenjtë e skenës së artit shqiptar, si Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti, Artan Imami, Spiro Duni, Leka Bungo, Altin Basha, Arben Derhemi etj., i janë drejtuar me një peticion Presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, për t’iu përsëritur edhe njëherë vullnetin e tyre pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, në vendin ku ndodhet godina e vjetër.

Dhjetra aktorët dhe regjisorët e kanë firmosur peticionin, i cili në fakt është peticioni i tretë që i drejtohet krerëve të shtetit për çështjen e Teatrit Kombëtar që nga viti 2018, ku deklarojnë se ndërtimin e Teatrit të Ri e konsiderojnë të mbyllur me sukses në emër të interesit kombëtar dhe u bëjnë thirrje atyre që t’i lënë lojërat politike sepse pikërisht nga këto lojëra komuniteti i artistëve ka mbetur edhe sot pa Teatër.

“Me këtë peticion ne kërkojmë që politika e të gjitha anëve, të mos na bëjë as ne, as projektin e Teatrit të ri Kombëtar, pjesë të lojës apo çorbës së saj. Ne Ju drejtohemi me kërkesën publike që të ndaloni menjëherë politizimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje! Ju lutemi na mirëkuptoni, por durimi ynë ka sosur dhe nuk përballojmë dot më as edhe një kokërr loti krokodili në mexhelis për teatrin tonë! 50 vjet në atë ndërtesë-karantinë dhe të harruar nga politika na dalin e na teprojnë! Ne dhe brezat e aktorëve e regjisorëve pas nesh meritojmë një Teatër dinjitoz, që të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe publikut teatërdashës”, shprehen artistët në peticionin drejtuar Metës, Ramës, Bashës dhe Kryemadhit.

Ndërkaq, për grupimin e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, artistët shprehen se disa i kanë miq, po disa të tjerë as nuk i njohin kush janë, por u bëjnë thirrje të ndahen nga politikanët sepse Teatri Kombëtar nuk është “Astiri” dhe as “tokë e xanun”.

Grupi firmëtar shprehet se peticioni po vazhdon të nënshkruhet edhe nga shumë artistë në këto momente, të cilët mbështesin planin për Teatrin e Ri Kombëtar.