Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për zhvillimet e fundit pas arrestimeve nga SPAK të ish-drejtorëve dhe zyrtarëve të kësaj bashkie.
Kryebashkiaku Veliaj u ka kthyer përgjigje edhe akuzave të kundërshtarëve politikë, duke u shprehur se titulli i institucionit nuk mund të jetë në dijeni të të gjitha veprimeve të vartësve të tij, e për këtë shkak vepron drejtësia.
Veliaj u shpreh se përgjegjësia ndaj ligjit është individuale, por theksoi se firmën dhe ndikimin e tij nuk e ka përdorur në asnjë rast për përfitim personal.
Kryebashkiaku u shpreh se nuk i vjen mirë që ish-drejtorë dhe zyrtarë të Bashkisë së Tiranës janë akuzuar për shkelje të ligjit, megjithatë, siç u shpreh ai, kjo do të provohet nga hetimet deri në fund.
“Në pritje të fjalës së fundit të drejtësisë për ta, unë vetë nuk kam çfarë pres për t’ju parë të gjithëve në sy dhe për t’ju thënë se asnjë përfitim i paligjshëm personal nuk më ka lidhur kurrë me ta dhe me askënd tjetër në detyrën time si shërbëtori numër 1 i kryeqytetit tonë, Tiranës”, tha Veliaj.
Veliaj ka theksuar se as ai dhe as kryeministri Edi Rama s’kishin si ta dinin që drejtuesit e institucioneve ishin përfshirë në abuzime me detyrën.
”Tani ka një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që ngrihet rëndom nga inkuizitorët mesjetarë, sigurimsat modernë dhe prokurorët mediatikë nëpër banaqe televizionesh, kurdo që SPAK-u vepron ndaj një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?
Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?!”, u shpreh ai
Veliaj foli edhe për hetimet që lidhen me inceneratorin e Tiranës, dosje për të cilën SPAK arrestoi një ndër drejtorët e akuzuar së fundmi edhe për dosjen “5D”.
Sa i përket inceneratorit, Veliaj tha se me këtë çështje e lidh vetëm interesi për pastërtinë e kryeqytetit.
“Gabime mund të kem bërë edhe unë plot! S’kam asnjë dyshim! Po s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm. Uroj që këtë ta vërtetojnë deri në fund edhe hetimet për inceneratorin e Tiranës, me të cilin e vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti, tanimë shembullor në pastërti, edhe hetimet për këtë çështjen e hapur së fundmi nga drejtësia”.