Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar ka konfirmuar në mënyrë indirekte përplasjet me dyshen Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, gjatë takimit të zhvilluar në Prishtinë, por ka shtuar se marrëdhëniet me BE dhe SHBA janë të shkëlqyera.
Shefi i qeverisë tha se gjatë bisedës ka qenë “konstruktiv, i përkushtuar dhe kreativ”.
“Nuk mendoj se këto gjëra zgjidhen me trysni dhe me përmendje pasojash dhe ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor”, tha Kurti.
Si mënyrën më efikase për dalje nga kriza e shkaktuar nga strukturat ilegale në veri të Kosovës, Albi Kurti përmendi sundimin e ligjit, largimin e bandave nga katër komunat dhe më pas mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Kurti foli edhe për afatin e lënë nga emisari i posaçëm amerikan, Gabriel Escobar, për të dhënë një përgjigje për 3 kërkesat e ndërkombëtarëve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialog, ndërsa theksoi se nuk ka marrë asnjë ultimatum.
“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët europian dhe amerikan për dy orë. Unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës fajësoi Listën Serbe për krijimin e krizave të vazhdueshme, ndërsa shprehu kritika dhe për faktorin ndërkombëtar.
“Natyrisht ne jemi të zhgënjyer që faktorët ndërkombëtar nuk kanë arritur të garantojnë pjesëmarrjen e serbëve siç na kanë premtuar neve. Mua më thoshin se porsa të bëhet marrëveshja e Ohrit serbët marrin pjesë, e bëmë marrëveshjen e Ohrit me 18 mars, kaloi afati me 21 mars dhe përsëri ata bojkot dhe vetëm bojkot”, tha Kurti.
Lidhur me formimin e asociacionit, Kurti tha se Qeveria e Kosovës ende s’ka asnjë draft të shkruar për statutin e tij.
“Me SHBA-në kemi pajtueshmëri të plotë sa i përket parimeve bazë”, përfundoi kryeministri i Kosovës.