Rusia pretendon se raketat e saj të reja Oreshnik mund të arrijnë objektiva në të gjithë Europën dhe Vladimir Putin ka pretenduar se sistemet e mbrojtjes perëndimore nuk do të jenë në gjendje t’i ndalojnë ato.
Sipas mediave të huaja, Presidenti Vladimir Putin ka thënë se Rusia do të rrisë prodhimin e një rakete të re balistike hipersonike.
Në një fjalim të transmetuar në televizionin kombëtar, Putin tha se raketa Oreshnik me rreze të mesme veprimi u përdor në një sulm në qytetin ukrainas Dnipro, si hakmarrje për përdorimin e raketave amerikane dhe britanike nga ana e Ukrainës, të afta për të goditur më thellë në territorin rus.
Duke iu referuar Oreshnikut, presidenti rus tha: “Askush në botë nuk ka armë të tilla”.
“Ne e kemi këtë sistem tani. Dhe kjo është e rëndësishme“, tha ai më tej.
Duke detajuar aftësitë e supozuara të raketës, Putin pretendoi se ajo është aq e fuqishme sa përdorimi i disa kokave konvencionale të luftës në një sulm mund të jetë po aq shkatërrues sa një goditje me armë bërthamore.
Gjenerali Sergei Karakayev, kreu i forcave raketore strategjike të Rusisë, tha se Oreshnik mund të arrijë objektivat në të gjithë Europën dhe të pajiset me koka bërthamore ose konvencionale, ndërsa Putin pretendoi se sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore nuk do të jenë në gjendje të ndalojnë raketat.
Putin tha për Oreshnik: “Nuk ka asnjë kundërmasë ndaj një rakete të tillë, asnjë mjet për ta kapur atë, në botë sot. Dhe unë do të theksoj edhe një herë se ne do të vazhdojmë testimin e këtij sistemi më të ri. Është e nevojshme të vendoset prodhimi në seri”.
Testimi i Oreshnikut do të ndodhë “në luftim, në varësi të situatës dhe karakterit të kërcënimeve të sigurisë të krijuara për Rusinë”, shtoi presidenti, duke thënë se ekziston “një rezervë sistemesh të tilla gati për përdorim”.
NATO dhe Ukraina pritet të mbajnë bisedime urgjente të martën.
Ndërkohë Parlamenti i Ukrainës anuloi një seancë pasi siguria u forcua pas sulmit në Dnipro, një qytet qendror me një popullsi prej rreth një milion banorësh. Nuk u raportua për viktima.
Udhëheqës të shumtë të BE-së kanë adresuar përshkallëzimin e konfliktit nga Rusia me kryeministrin e Polonisë Donald Tusk duke thënë se lufta “po hyn në një fazë vendimtare dhe po merr dimensione shumë dramatike”.
Duke folur në Kiev, ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, e quajti sulmin e Moskës një “hap përshkallëzues dhe një përpjekje të diktatorit rus për të trembur popullsinë e Ukrainës dhe për të trembur popullsinë e Europës”.
Në një konferencë shtypi, Lipavsky dha mbështetjen e tij të plotë për ofrimin e sistemeve shtesë të mbrojtjes ajrore të nevojshme për të mbrojtur civilët ukrainas nga “sulmet e tmerrshme”.