Asnjë pajisje elektronike nuk është më e sigurt për përdorim në Liban. Këtë e konfirmoi vala e dytë e shpërthimeve të radio marrëse-dhënëse.
“Nuk e dimë nëse mund të qëndrojmë pranë laptopeve apo smartfonëve tanë”, thotë një grua nga Libani për BBC. Autoritetet konfirmuan se 20 persona humbën jetën dhe 450 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimet e së mërkurës, ndërsa gjatë të martë sulmi masiv u mori jetën 12 njerëzve dhe la të lënduar më shumë se 2 mijë të tjerë. Hetuesit në Liban akuzojnë agjencinë izraelite të spiunazhit, Mossad, se qëndron pas këtij agresioni që pati në shënjestër anëtarët e Hezbollahut.
Agjencia izraelite e zbulimit Mossad, e cila ka një historik të gjatë operacionesh të sofistikuara jashtë vendit, vendosi eksplozivë brenda pajisjeve të importuara nga Hezbollahu, disa muaj përpara shpërthimeve të së martës, tha një zyrtar i lartë libanez i sigurisë, si dhe një tjetër person për agjencinë e lajmeve Reuters.
Izraeli nuk ka komentuar atë që ka ndodhur, por ministri i luftës, Yoav Gallant, njoftoi një fazë të re të luftës.
“Besoj se ne po futemi në një fazë të re të luftës dhe duhet të përshtatemi. Kjo vlen për të gjithë, sigurisht edhe për ata që janë në ajër dhe kontrollojnë çfarë ndodh në qiell, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me Hamas. Kjo është diçka tjetër dhe duhet të përgatitemi mirë. Para se të gjithash qendra e gravitetit po zhvendoset për në veri. Kjo do të thotë se ne po lëvizim burime, trupa dhe energji në frontin e veriut”, tha Gallant.
Gjatë natës, avionët ushtarakë izraelitë goditën objektet ushtarake të Hezbollahut në Libanin jugor. Këtë e deklaroi zëdhënësi i IDF-së, duke raportuar gjithashtu sulme intensive artilerie në zona të ndryshme të jugut të vendit. Raportohet gjithashtu që militantët e Hezbollahut, që mbështeten nga Irani, të kenë lëshuar raketa dhe dronë në drejtim të veriut të Izraelit.
Për shkak të këtij zhvillimi, zyrtarë të lartë të Pentagonit amerikan po i druhen faktit se ky shtim i aktiviteteve luftuese mes Tel Avivit dhe Hezbollahut mund të jetë fillimi i një ofensive ushtarake tokësore nga ana e Izraelit në Liban. Kështu raporton “Wall Street Journal”, duke sqaruar se frika për një zgjerim të luftës në atë drejtim ishte pohuar ditë më parë edhe nga sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin.
Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, akuzoi Izraelin se po e afron Lindjen e Mesme më pranë një lufte rajonale, duke orkestruar një përshkallëzim të rrezikshëm në shumë fronte.
“Hezbollahu dëshiron të shmangë një luftë gjithëpërfshirëse. Ende dëshiron ta shmangë një të tillë. Por duke pasur parasysh shkallën, ndikimin mbi familjet, mbi civilët, do të ketë trysni për një përgjigje më të fortë”, tha Mohanad Hage Ali nga Qendra Carnegie për Lindjen e Mesme.
Organizata Hezbollah, bashkëpunëtorja më e fuqishme e Iranit në Lindjen e Mesme, tha në një deklaratë se do të vazhdojë të mbështesë Hamasin në Gazë dhe se Izraeli duhet të presë një përgjigje ndaj “masakrës” që la luftëtarë dhe persona të tjerë të gjakosur, të shtruar në spital, ose të vdekur.
Pamjet nga spitalet, të shqyrtuara nga agjencia e lajmeve Reuters, treguan persona me lëndime të ndryshme, disa në fytyrë, disa me gishta të prerë dhe plagë të hapura në ije, ku ka të ngjarë të mbaheshin në brez pajisjet e komunikimit.
Për komplotin duket se janë dashur përgatitje disa mujore, i thanë agjencisë Reuters disa burime. Kjo pasoi një seri vrasjesh të komandantëve dhe udhëheqësve të Hezbollahut dhe Hamasit, për autorësinë e të cilave u fajësua Izraeli.