Kristjan Asllani është gati për duelin ndaj Italisë. Kombëtarja kuqezi do të sfidojë kampionët e Europës në një miqësore luksi në “Air Albania” (16 nëntor, 20:45).
Tri ditë më vonë përballemi sërish në stadiumin kombëtar ndaj Armenisë, sfida për të cilat foli mesfushori i Interit në prononcimin e shtypit, aty ku u ndal edhe tek aventura me Interin në Serie A.
“Do jetë një ndeshje e veçantë për mua që jetoj në Itali prej moshës 2 vjeçare. Kam shumë shokë atje. Ndeshje e vështirë, por do provojmë të lumturojmë njerëzit tanë.
Ngacmime? Jo nuk ka pasur, por më kanë pyetur se kur do luajmë, ku do rrinë ata dhe kështu gjërash. Mezi po e pres si ndeshje.
Italia ka nivel shumë të lartë, por ne do provojmë të bëjmë ndeshjen tonë, pasi kemi shumë kualitet. Gjërat shkojnë mirë kur skuadra fiton, kur nuk ndodh ka zëra.
Grupi është bashkë, jemi të gjithë shokë dhe shumë të bashkuar. Le të vazhdojmë kështu. Përgjegjësia duhet, shpresoj të marr sa më shumë minuta në Kombëtare, që të marr besim te vetja.
Rasti i Barcelonës? Normal që më vjen në mendje, por ekipi dhe të gjithë më kanë qëndruar afër. Ishte rast historik, por gjithsesi e kaluam turnin.
Interi? Jam lojtar i ri, kam përpara Brozovic dhe Calhanoglu, nga të cilët mund të mësoj. Jam i lumtur me kaq minuta që kam luajtur, nuk është e lehtë.
Reja? Shpresojmë të bëjmë mirë, të ndihmojmë trajnerin, t’i japim besim atij dhe t’i fitojmë këto dy ndeshje.
Shqipëria më e mirë? Nuk e di, por kjo mund të jetë Shqipëria më e fortë, pasi kemi lojtarë të fortë dhe teknikë. Shpresoj t’i bëjmë të lumtur të gjithë tifozët.
Shorti i Euro 2024? Kemi shumë shanse të kalojmë”, përfundoi 20-vjeçari i talentuar nga Elbasani, i cili po luan sezonin e parë me Interin në Serie A.