Moment i artë për Kristjan Asllanin. Mesfushori shqiptar, do të jetë titullar për një ndeshje të madhe si ajo ndaj Juventusit.
Vetë trajneri i Interit, Simone Inzaghi, deklaroi në konferencën para ndeshjes, se vendi i Hakan Calhanoglu, do të merret nga Asllani.
Tekniku zikaltër, deklaroi se shqiptari është përmirësuar shumë në sezonet e fundit, por theksoi se duhet të rivalizojë për një vend titullari me një lojtar si Calhanoglu.
“Ne e dimë se çfarë përfaqëson Calhanoglu për ne, ai është një nga lojtarët më të mirë në botë. Zëvendësuesi i tij natyral është Kristjan Asllani. Nëse më jep garancitë e duhura do të luajë Asllani, i cili është përmirësuar shumë me kalimin e viteve.
Fati i tij i keq është se duhet të përballet me Calhanoglu për një vend titullari. Fatkeqësisht pati një problem para sfidës me Romën, ndërsa dje është stërvitur rregullisht me ekipin”, deklaroi Inzaghi.
Ndeshja Inter-Juventus është planifikuar të luhet ditën e diel në orën 18:00.