Zgjedhjet parlamentare në Bullgari dështuan sërish të prodhonin një fitues të qartë. Rezultatet paraprake nxjerrin partinë antielitë të prezantuesit televiziv, Slavi Trifonov, me një avantazh të vogël ndaj Partisë GERB të qendrës së djathtë të ish-kryeministrit, Boyko Borissov.
Zgjedhjet e dyta në 3 muaj, reflektojnë përçarjet e mëdha në vendin anëtar më të varfër të Bashkimit Europian, lidhur me sundimin prej një dekade të Borissov.
Shumë janë kthyer në mbështetje të forcave politike antiestablishment me shpresën për një aksion më vendimtar kundër korrupsionit, duke fajësuar 62-vjeçarin Borissov për mbështetje të oligarkëve të fuqishëm.
Megjithatë, GERB vijon të ketë mbështetje publike të konsiderueshme për përpjekjet në modernizimin e infrastrukturës së rrënuar dhe rritur pagat e sektorit publik.
Edhe nëse partia e Borisov del forcë e parë, shanset për formimin e një koalicioni qeverisës janë të pakta. GERB fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e prillit, por dështoi të arrinte dakordësi me partitë e tjera.
Formimi i një koalicioni shihet me rëndësi të veçantë jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për Europën dhe rajonin. Maqedonia e Veriut është në pritje të qeverisë së re për të zhbllokuar ngërçin në negociatat e anëtarësimit në BE.