Presidenti i SHBA, Donald Trump ka mbajtur një konferencë për mediat në Shtëpinë e Bardhë lidhur me tragjedinë, ku një helikopter ushtarak goditi në ajër një avion pasagjerësh gjatë uljes nga aeroporti Regan në Uashington.
Në nisje, Trump ka kërkuar që të mbahet një minutë heshtje për viktimat dhe familjet e tyre.
Gjatë fjalës së tij, Trump thotë se Amerika është në zi teksa shton se kjo ngjarje ka tronditur shumë persona edhe nga kombet e tjera që janë përfshirë në aksidentin ajror. Presidenti shprehet se në aeroplan kishte rusë, por nuk përmendi asnjë kombësi tjetër.
Ai ka përshëndetur operacionin e kërkim-shpëtimit në të gjitha nivelet dhe thotë se misioni tani është ai i rimëkëmbjes pasi nuk ka të mbijetuar.
“Ne vetëm mund të fillojmë të imagjinojmë agoninë që po ndjeni të gjithë. Zemrat tona janë copëtuar”, është shprehur Trump.
Ai thotë se ka ide dhe teori për atë që ka ndodhur, megjithëse ka pranuar se hetimi është ende në fillimet e tij.
Trump nuk la pa goditur kundërshtarët e tij politikë, këtë herë Joe Biden dhe Barack Obamën. Për ish-Presidentin, Trump tha se ka punësuar personel mediokër për punët e kontrollit të trafikut ajror që kërkojnë inteligjencë superiore.
“Unë vendos sigurinë në radhë të parë. Obama, Biden dhe demokratët vënë politikën në radhë të parë”, tha Trump.
“Ata e vendosin politikën në një nivel që askush nuk e ka parë ndonjëherë”, shtoi Trump. Ai thotë se “politika e tyre ishte e tmerrshme”.
Më tej, Trump u shpreh se nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar këtë përplasje, por shtoi se një hetim gjithëpërfshirës në lidhje me ngjarjen do të kryhet.
“Ne do të zbulojmë se si ndodhi kjo fatkeqësi dhe do të sigurojmë që asgjë e tillë të mos ndodhë më. Administrata Federale e Aviacionit, Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit dhe ushtria amerikane do të kryejnë një hetim gjithëpërfshirës. Ne do të punojmë pa u lodhur për të kuptuar atë se çfarë ka ndodhur”, deklaroi Presidenti i SHBA.
Sipas Presidentit, avioni po kryente të gjitha veprimet në rregull, por shton se helikopteri që kishte shkuar në një kënd që ishte jashtëzakonisht i keq. Trump më pas thotë se helikopteri kishte aftësinë të ndalonte, të ngjitej, të zbriste ose të kthehej.
“Kthesa që bëri nuk ishte e duhura, natyrisht,” thotë ai.
Trump tregon një nga urdhrat ekzekutivë që nënshkroi me marrjen e detyrës javën e kaluar, për të cilin thotë se rikthehen standardet për kontrollorët e trafikut ajror dhe të tjerë.