Politika “Asnjë marrëveshje me Greqinë, e vetmja tentativë për t’i bërë dëm Shqipërisë...

“Asnjë marrëveshje me Greqinë, e vetmja tentativë për t’i bërë dëm Shqipërisë mban emrat e Berishës dhe Metës”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në një prononcim për mediet nga Kryesia e Kuvendit, se nuk ka një marrëveshje të re me Greqinë për detin.

“Duhet ta sqarojmë për çdo qytetar shqiptar që mund të jetë ngatërruar në çorbën e gatuar prej PD-së dhe LSI-së, sepse marrëveshjet bëhen mes shteteve, negociohen mes qeverive për muaj e vite, dhe më pas firmosen nga qeveritë dhe ratifikohen në parlamentet përkatëse”, tha Balla.

Në këtë rast, Balla theksoi se “mes Shqipërisë dhe Greqisë ka pasur një marrëveshje të negociuar nuk e di për sa kohë, por të firmosur dy muaj para zgjedhjeve të 2009, diku në fund të prillit 2009, dhe më pas të tentuar për t’u ratifikuar nga parlamenti i shumicës qeverisëse mes Sali Berishës dhe Ilir Metës në tetor, nëntor, dhjetor 2009”.

Balla kujtoi se “kjo marrëveshje u bllokua nga kërkesa e depozituar nga PS në Gjykatën Kushtetuese dhe që Gjykata Kushtetuese, me një rezultat të qartë e ka rrëzuar si marrëveshje”.

Balla tha se “kishim një marrëveshje antikombëtare dhe antikushtetuese, përmes së cilës rreth 354.4 km2, në mënyrë antikombëtare dhe antikushtetuese i hiqeshin Shqipërisë”.

Gjithë ky kazan që zien çorbën e prishur nga PD-LSI nuk e di cilat janë arsyet që i shtyjnë, por dua të theksoj që nga ana e qeverisë të drejtuar nga Edi Rama në mënyrë të vazhdueshme respektohet interesi ynë kombëtar pikësëpari, dhe të gjitha konventat ndërkombëtare”, tha Balla.

Ai theksoi se Shqipëria me Greqinë e ka përcaktuar kufirin e saj që në vitin 1990 dhe “e vetmja tentativë për t’i bërë dëm Shqipërisë mban emrat e Sali Berishës, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës”.

“Ndërkohë që diskutimet e karakterit politik që mund të zhvillohen në Kuvendin e Greqisë nga një ministër apo një kryeministër i vendit përkatës nuk ka të bëjë aspak me realitetin që ndodh në vend. Për çdo lloj vendimmarrje të tillë negociohet, diskutohet dhe gjithçka bëhet publike. E vetmja marrëveshje që nuk u bë kurrë publike derisa u vendos, ishte ajo që mban firmën e Lulit kur ishte Ministër i Jashtëm, që më pas e mori përsipër ta mbronte Ilir Meta”, tha Balla.

Lidhur me ndryshimet në grupin negociator, ai theksoi se “nëse do t’i merrni emrat e grupit negociator disa kanë ikur nga pozicionet që kanë pasur”.