“Përballja me regjimin është e vetmja rrugë që ka mbetur për të vendosur rendin kushtetues.” Kështu është shprehur Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në të parën konferencë për mediat pas protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, që u zhvillua për 3 orë e 30 minuta në Tiranë mbrëmjen e djeshme.
Meta, i cili ishte i pranishëm në tubim së bashku me përfaqësues të PL, po ashtu shtoi se narko-shteti nuk duhet të ketë as një minutë paqe në vijim.
“Protesta e opozitës është tërësisht legjitime. Përballja me regjimin është e vetmja rrugë që ka mbetur për të vendosur rendin kushtetues. Narko-shteti nuk duhet të ketë as 1 minutë paqe. Narko-policia veproi nën urdhra, duke helmuar popullin me gaz. Përdorimi i gazit dhe dhunës treguan se Policia e Shtetit ka humbur misionin e saj. Këtu mafia ka shtetin e vet. Një falënderim të veçantë për pasqyrimin në mediat e huaja të protestës së djeshme. Shqiptarët e ndershëm e kanë detyrë largimin e Ramës nga pushteti. Edi Rama tallet me pensionistët dhe na vjedh përditë. Partia e Lirisë kur të jetë në pushtet do të dyfishojë pensionet, duke i çuar ato në nivelet e vendeve fqinje. Ne i bashkohemi çdo përpjekje për të rivendosur rendin kushtetues, që aktualisht është përmbysur”, tha Meta.
Meta shfaqi rezerva për policinë, duke thënë se arrestimet e protestuesve janë politike dhe ato veçse do të shtojnë zemëratën në popull.
“Përdorimi kriminal dhe jo proporcional i dhunës, i gazit lotsjellës deri tek fëmijët dhe të moshuarit, si dhe arrestimet e paligjshme provuan se Policia e Shtetit është shndërruar në Policinë e NarkoPushtetit, që ka humbur jo vetëm besimin, por edhe misionin për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve”, deklaroi Meta.