Nuk jetohet me kujtime dhe as me keqardhje, por ka fragmente të kujtesës që qëndrojnë aty, të lidhura me ndërgjegjen e Napolit. Dhe ato përmblidhen në një çast të shkurtër, ku gëzimi është shndërruar në gënjeshtër. Mjafton të kthesh kokën pas, jo shumë larg, në ndeshjet me Torinon dhe Fiorentinën, për të kuptuar se lumturia e pakontrolluar ka mbetur në harresë. Është një sekuencë, që ka lënë shenja në klasifikim, madje edhe në moralin e Napolit.
E transformon buzëqeshjen dhe e shkund qetësinë e brendshme të Carlo Ancelotti, i cili nuk dëshiron kurrë të humbasë në rutinën e justifikimeve “nëse…”, “por…” Matematika është një opinion i hollë, që 26 goditjet në portat kundërshtare i përkthen në zero gola. Tashmë ekziston një rekord negativ për “Carletto” te Napoli. Kaq pak gola në këtë moment të kampionatit, 24 javë të luajtura në Serie A, nuk njiheshin në skuadrat e mëparshme të Ancelottit në 10 vitet e fundit.
Zero gola në ndeshjen e Torinos, e cila u kthye në një monodramë. Do të duhej një kimist për ta rregulluar këtë situatë, ose dikush që ndjek të kaluarën e Ancelottit, të banuar nga supermenët, por që e kanë interpretuar futbollin pa e detyruar “Madhërinë e Tij” të ngrysë vetullat. Në Firence, për të dhënë një argument më shumë, pati 13 goditje në portë, sa gjysma e atyre në Torino, por rezultati ishte i njëjtë, 0-0.
Për shkak të portierit Lafont, por edhe shënjestrës jo shumë të saktë, që mund të rregullohet, duke iu përkulur fatit. Sepse, ndonjëherë fati vendos veton dhe shkon përtej përsosmërisë së qenieve njerëzore. Napoli nuk di më të shënojë prej të paktën një muaji, që kur nga “San Siro”, kundër Interit, u kthye me zero pike. Dhe historia përsëritet, edhe pse i ka patur mundësitë për të shënuar në fund me Zielinskin.
E pa vetën në të njëjtën situatë në “San Siro”, madje brenda pak ditësh, kundër Milanit, në kampionat dhe në Kupën e Italisë (me humbje). “Bum-bum”, jehona e dy goditjeve të thata të Piatek, sigurisht la pasoja. Napoli vazhdon të godasë shtylla e traversa, janë 18 të tilla në total. Këto janë frytet e 7070 pasimeve në fushën kundërshtare, thuajse një mijë më shumë se te cilado skuadër tjetër.