Aston Villa i bën një surprizë të bukur në debutim trajnerit Unai Emery, teksa mposhtin në shtëpi me rezultatin 3-1, Manchester United. “Djajtë e Kuq” nuk i rezistuan dot vrullit të vendasve dhe pësuan dy gola të shpejtë, të cilët erdhën brenda katër minutave, respektivisht në të 7-tën dhe të 11-tën.
Ishte Bailey ai që hapi llogaritë e sfidës, teksa nuk gaboi përballë De Geas, ndërsa më pas, portieri spanjoll nuk kishte shumë për të bërë pas një goli të shkëlqyer nga goditja e dënimit nga ana e Lucas Digne.
Në fundin e pjesës së parë, u duk se United mund të ndryshonte fatet e ndeshjes teksa goditja e Luke Shaw u devijua gabimisht në portë nga ana e Ramsey që shkaktoi në këtë formë një autogol. Gjithsesi, në fragmentin e dytë, Ramsey shleu gabimin pasi shënoi të tretin për të tijtë duke i falur një siguri të lartë shokëve të skuadrës. Deri në fund, shifrat nuk ndryshuan dhe pas kësaj humbje, United mbetet në vend të pestë me 23 pikë ndërsa nga ana tjetër, Aston Villa është e 14-ta me 15 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Newcastle konfirmoi formën e shkëlqyer me The Magpies që regjistrojnë triumfin e katërt radhazi në kampionat. Këtë herë “viktima” ishte Southampton që u dorëzua pa kushte në fushën e saj me rezultatin 1-4. Ai që zhbllokoi rezultatin ishte i zakonshmi Almiron në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, Wood, Willock dhe Guimaraes “vranë” shpresat e vendasve për një rezultat pozitiv. Pas këtij suksesi, Newcastle ngjitet në vendin e tretë me 27 pikë, ndërsa Southampton renditet në vendin e 18-të me 12 pikë. Sakaq, sfida mes West Ham United dhe Crystal Palace u mbyll me rezultatin 1-2.
Arsenal triumfon në derbin e Londrës, mposht Chelsean dhe rikthehet në kryesim
Pas disfatës turpëruese 4-1 kundër Brighton në fundjavën e kaluar, Chelsea i Graham Potter pëson të dytën humbje radhazi. Këtë herë në derbin e Londrës përballë Arsenal, teksa Blutë ishin të pafuqishëm për të reaguar pas golit të Gabriel.
Në një ndeshje ku munguan rastet e pastra, përjashto një mundësi të Gabriel Jesus në pjesën e parë, ishte pikërisht mbrojtësi i Topcinjve që vendosi sfidën teksa Chelsea provoi të zgjohej sidomos pas aktivizimit të Armando Brojës në minutën e 64-të.
Sulmuesi i kombëtares shkaktoi menjëherë pështjellim në zonën e Arsenal, por nuk gjeti mbështetjen e shokëve të skuadrës. Pas kësaj fitoreje, të besuarit e trajnerit Mikel Arteta rikthehen në krye të Premier League me 34 pikë, dy më shumë se ndjekësit e Manchester City. Nga ana tjetër, pas kësaj disfate, Chelsea mbetet në vendin e shtatë me 21 pikë, shumë larg kreut ndërsa humbet terren edhe për zonën Champions.