Aktualitet AstraZeneca, hapat e gabuar dëmtojnë reputacionin e vaksinës

AstraZeneca, hapat e gabuar dëmtojnë reputacionin e vaksinës

Publikimi të hënën i të dhënave inkurajuese nga kompania AstraZeneca në lidhje me testimet e vaksinës së saj në Shtetet e Bashkuara rriti shpresat se kompania farmaceutike i tejkaloi problemet e mëparshme.

Por vetëm disa orë pas njoftimit, zyrtarët amerikanë lëshuan një deklaratë të pazakontë duke shprehur shqetësimin se kompania kishte përfshirë “të dhëna të vjetëruara” në studimin e saj dhe se ndoshta mund të kishte ofruar “një panoramë jo të plotë të të dhënave për efikasitetin e saj”.

Duke patur parasysh gabimet e mëparshme në raportimin e të dhënave dhe frikën nga njoftimet për mpiksjen e gjakut, ekspertët thonë se ky njoftim i fundit mund të shkaktojë dëme afatgjata për vaksinën AstraZeneca që është thelbësore në përpjekjet globale për të ndaluar pandeminë. Ekspertët thonë se këto hapa të gabuara mund të shkatërrojnë besimin tek vaksinat.

“Dyshoj se synimi (i zyrtarëve amerikanë) ishte për të minuar qëllimisht besimin tek vaksina AstraZeneca”, tha Dr. Paul Hunter, profesor i mjekësisë në Universitetin East Anglia. “Por ka të ngjarë që kjo të shkaktojë më shumë hezitim ndaj vaksinës.”

Kompania AstraZeneca tha të martën se rezultatet e publikuara një ditë më parë përfshinin të dhëna deri më 17 shkurt, por duket se ishin në përputhje me të dhëna më të reja. Kompania premtoi rifreskimin e të dhënave brenda 48 orëve.

Këto rezultate tregonin se vaksina kishte efikasitet prej 79% në parandalimin e simptomave nga koronavirusi dhe se nuk kishte të sëmurë rëndë apo shtrime në spital mes vullnetarëve të vaksinuar, krahasuar me pesë raste të tilla tek pjesa që kishin marrë placebo (solucion pa asnjë efekt).

Por ndryshimet e njëpasnjëshme lidhur me raportin e fundit, i shtohen problemeve të mëparshme të kompanisë.

Rezultatet e pjesshme nga prova e saj e parë në shkallë të gjerë, në bazë të cilës Britania dha autorizimin për vaksinën, u dëmtua nga një gabim gjatë procesit të prodhimit i cili nuk u pranua menjëherë nga hulumtuesit. Të dhënat e pamjaftueshme mbi mbrojtjen që ofronte vaksina për të moshuarit bënë që disa shtete të kufizonin përdorimin e vaksinës për moshat e reja, para se të ndryshonin qëndrim më vonë.

Zyrtarët amerikanë i pezulluan provat e AstraZeneca-s për gjashtë javë, ndërsa kërkuan më shumë informacione në lidhje me problemet e raportuara në Britani para se të vendosnin që vaksina nuk kishte probleme.

Por javën e shkuar, më shumë se një duzinë shtetesh ndaluan përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca pas njoftimeve për mpiksje të rrallë gjaku tek disa njerëz që ishin vaksinuar. Agjencia Evropiane e Barnave doli më pas në përfundimin se vaksina në përgjithësi nuk rriti shkallën e mpiksjes së gjakut. Pavarësisht qartësimit të situatës duket se njoftimet e mëparshme kanë lënë gjurmë tek reputacioni i vaksinës.

Një zyrtar i lartë në Norvegji paralajmëroi të hënën se ky vend mund të mos jetë në gjendje të rifillojë përdorimin e vaksinës pas refuzimit nga shumë njerëz.

“Njerëzit shprehen qartësisht se nuk e duan vaksinën AstraZeneca”, tha për rrjetin informativ NRK Marte Kvittum Tangen i cili drejton shoqatën e mjekëve norvegjezë.

Një javë më parë koordinatori i vaksinimit për Rumaninë, Valeriu Gheorghita tha se 33,000 takime për marrjen e vaksinës AstraZeneca ishin anuluar brenda 24 orësh dhe se një e treta e 10,000 njerëzve që do paraqiteshin për marrjen e vaksinës nuk shkuan.

Në Beograd, një qendër panairesh e ngritur për imunizimin masiv me vaksinën AstraZeneca ishte kryesisht e shkretë të hënën.

“Për fat të keq kjo ka të bëjë më shumë me perceptimin sesa me shkencën”, tha Dr. Bharat Pankhania, specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin Exeter të Britanisë.

“Kemi parë në disa parametra që vaksina AstraZeneca ofron mbrojtje dhe është e sigurtë. Por publikut nuk i është ofruar një tablo e qartë”, tha ai.

Franca shembull konfuzioni

Presidenti francez sugjeroi fillimisht se vaksina nuk ishte efektive për të moshuarit, para se të ndryshonte qëndrim. Megjithatë, Franca autorizoi përdorimin e vaksinës AstraZeneca për popullatën 65 vjeç e poshtë, duke theksuar mungesën e të dhënave.

Më pas qeveria ndryshoi mendimin, bazuar në të dhëna të reja, dhe tha se mund të përdoret për të gjithë të rriturit. Por me daljen e njoftimeve për raste të rralla të mpiksjes së gjakut, qeveria pezulloi përdorimin e vaksinës në tërësi. Kur Franca rifilloi përdorimin e vaksinës AstraZeneca, ajo ndaloi përdorimin tek individët nën moshën 55 vjeç.

Mesazhet kundërthënëse vijnë në një kohë kur Franca, sikurse pjesa e më e madhe e Evropës kontinentale, por përpiqet të përshpejtojë vaksinimin ndërsa përballet me infeksionet në rritje. Këto infeksione po shtojnë rrezikun e mbipopullimit të spitaleve dhe shtojnë mundësitë për mbyllje të reja.

Edhe nëse kompania qartëson keqkuptimin e fundit, pasojat mund të jenë afatgjata.

Virologu Julian Tang me Universitetin Leicester vuri në dukje polemikat e vjetra mbi vaksinën e fruthit, si një rrëfenjë paralajmëruese.

“Nuk kishte absolutisht asnjë provë që vaksinat (fruthi, shytat, rubeola) shkaktonin autizëm.” Por pavarësisht studimit të tërhequr më vonë që bënte aludimin, thotë zoti Tang, njerëzit ende janë të shqetësuar për vaksinën.

Mbështetja e vakët në Evropë për vaksinën AstraZeneca bie në kontrast me qeveritë e vendeve në zhvillim që duan me doemos të marrin vaksina. Meqenëse vaksina kushton më lirë dhe është më lehtë të ruhet se vaksinat e kompanive të tjera, AstraZeneca pritet të përdoret gjerësisht në vendet e varfëra.

Dr. Bruce Aylward, këshilltar i lartë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë tha se agjencia e Kombeve të Bashkuara ka një listë të gjatë me vendet që duan të marrin sa më shpejt të jetë e mundur vaksinën. “Thjesht, nuk mund të marrin aq sa duan”, tha ai.

Por disa ekspertë shprehin shqetësimet se skepticizmi në Evropë mund të venisë përfundimisht reputacionin e vaksinës në mbarë botën. Ata sugjerojnë se një masë që mund të siguronte një publik të nervozuar rreth vaksinës, do të ishte miratimi nga agjencia amerikane për ushqimet dhe ilaçet.

“Nëse rregullatori amerikan shqyrton të dhënat dhe autorizon vaksinën AstraZeneca, kjo do të kishte shumë peshë”, tha Jimmy Whitworth, profesor i shëndetit publik ndërkombëtar në Shkollën Londineze për Higjienën dhe Mjekësinë Tropikale.

Kompania AstraZeneca tha se do të dorëzonte të dhënat e saj kërkimore pranë agjencisë federale amerikane për barnat dhe ushqimet.

Ekziston mundësia që vaksina të fshijë të gjitha dyshimet. Në një qendër vaksinimi në Lisbonë, 68-vjeçari Rui Manuel Martins hodhi poshtë shqetësimet, duke thënë se miliona ishin vaksinuar dhe efektet anësore ishin shumë të rralla.

“Gjithmonë ka njerëz që refuzojnë ilaçet”, tha ai para se të merrte dozën e parë. “Është më mirë të vaksinohesh sesa jo.”