Astrit Patozi, koordinatori i partisë së re Bindja Demokratike, ishte i ftuar në emisionin Top Talk, ku shpjegoi domethënien e emrit të partisë së re.
“Ne mendojmë se Shqipëria ka këtë periudhë problematike për shkak të një bindjeje demokratike që nuk është problem i shoqërisë, por i politikave të gabuara. Bindja demokratike që ekziston te vendet e Evropës Perëndimore, i nevojitet edhe shoqërisë sonë. Kjo është domethënia në vija të trasha dhe qëllimi ynë”, deklaroi Patozi.
Koordinatori i Bindjes Demokratike shtoi se “Shqipëria ka nevojë për një projekt të ri politik që duhet të godasë sistemin” dhe theksoi se “ky projekt është ëndrra e një grupi shumë të madh njerëzish”.
“Presim që të marrin pjesë të gjitha partitë politike. Për ne, ka më shumë rëndësi cilësia e zgjedhjeve sesa rezultati”, theksoi mw tej Patozi.
Patozi iu përgjigj edhe deklaratës së Lulzim Bashës i cili sot, kur u pyet mbi partinë e re Bindja Demokratike, deklaroi se “nuk do ketë më qeveri false, parlament fals, apo opozitë false”.
“Askush nuk e ka monopolin e opozitës. Pozicioni i çdo qytetari varet nga raporti që ka me qeverinë. Unë nuk kam pasur asnjë sekondë të jetës sime që nuk kam qenë përballë Partisë Socialiste. Ata janë të lirë të djegin mandatin, ndërsa unë jam i lirë të bëj diferencën me qeverinë dhe me ata që mendojnë se duke vrarë veten do të rrëzojnë qeverinë”, theksoi Patozi.