Në datën e lindjes së poetit: Dhori Qirjazi
Ndër shumë kritikë, studiues të letërsisë, historianë a shkrimtarë të ndryshëm që janë rrekur të na shpjegojnë modernitetin e letërsisë shqipe të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar dhe autorët që i prinë këtij procesi, gjejmë pothuaj të njëjtën klishe, sipas të cilës Dritëro Agolli, Ismail Kadare dhe Fatos Arapi shenjuan kthesën dhe bënë kapërcimin e madh, duke e bërë poezinë në veçanti, por edhe letërsinë shqipe më bashkëkohore, më të larmishme jo vetëm në përmbajtje por edhe në formën e shprehjes artistike etj.
Pa dashur të merrem me të gjithë ata që ia atribuojnë meritën e këtij kapërcimi tre shkrimtarëve tanë të mëdhenj, pra Ditëroit, Kadaresë dhe Fatos Arapit, sepse në fund të fundit shijet, vlerësimet, qasjet janë krejt individuale, dua të theksoj se vendosja e “kufinjëve” tek merita e të treve, i ka hyrë padrejtësisht në hak një të katërti në fakt, Dhori Qirjazit, emri dhe vepra e të cilit qëndron me po aq dinjitet si një kontributor i rëndësishëm përkrah veprës së tre të tjerëve.
Unë bashkohem me studiuesin Shaban Sinani kur thotë se “Nëse duam të krijojmë ‘yllësinë’ e brezit të viteve ’60 është një katërshe që nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin sepse çfarë ka dhënë njëri nuk e ka dhënë tjetri. Yllësia këtë kuptim ka, kur të gjithë së bashku formojnë të bukurën. Është Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi dhe çuditërisht i harruar në mënyrë të padrejtë Dhori Qiriazi” (Sh. Sinani, intervistë e dhënë për televizionin abc, 15 dhjetor 2019).
Poeti Dhori Qirjazi, me lirizmin e tij krejt të veçantë, të beftë e të natyrshëm, me spontanitetin e vargut dhe muzikalitetin e ndjerë e plot ngjyra, me gjetjet poetike dhe përjetimet emocionalisht elegante, u bë dhe mbetet padyshim një zë dhe kontributor ekselent në të gjitha pritjet dhe prurjet letrare të kësaj kohe në letërsinë shqipe.
Fakti se pse Dhori Qirjazi nuk jetoi dhe nuk punoi në Tiranë siç e patën fatin tre të tjerët, nuk mund të shërbejë si kriter vlerësimi apo qëndrimi ndaj tij, kur është fjala për t’i dhënë vendin që meriton në historinë e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
Unë nuk e di se çfarë kanë menduar të bëjnë ata të Ministrisë së Kulturës apo të bashkisë së Kolonjës për të përkujtuar dhe nderuar poetin, përkthyesin, studiuesin dhe “Mësuesin e Popullit” Dhori Qirjazi në datën e lindjes së tij, por di të them se ai meriton padyshim çdo nderim shtetëror të mundshëm.
Fjalëpak dhe mençurisht i thjeshtë, punëtor i palodhur i arsimit dhe i dijes, njeri fisnik dhe qytetar i dinjitetshëm, me emrin dhe veprën e tij si rilindas i kohëve moderne, Dhori Qirjazi i bën nder letërsisë shqipe.
Heshtja ndaj tij as ia cënon emrin, as ia zbeh vlerat, as ia zvogëlon meritat dhe kontributet. Thjeshtë dëshmon mjerimin e heshtakëve injorantë.
Në “yllësinë” e brezit të viteve ‘60, Dhori Qirjazi është njëri prej tyre.