Gati dy vjet pas operacionit të bujshëm, SPAK dështoi të vërtetonte ekzistencën e një grupi të strukturuar me emrin “Bajri”, ndërsa dosja po shkon drejt gjykatës së Shkodrës me akuza të rrudhura dhe shumicën e të pandehurve në liri.
Nga Edmond Hoxhaj / BIRN
Mbrëmjen e 21 shtatorit 2018, një grup policësh me maska të Forcës Operacionale të Policisë së Shtetit zbarkuan në ambientet e një bilardoje në zonën e Xhamllikut në Tiranë dhe nxorën që andej me pranga në duar Safet Bajrin [Rustemi] – ndër më të kërkuarit e autoriteteve belge në atë kohë.
Paralelisht me Tiranën, operacioni u shtri edhe në Shkodër dhe Roterdam të Holandës, duke arrestuar 11 persona të akuzuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me qendër në lagjen Dobraç të Shkodrës.
Operacioni u trumbetua si një goditje e suksesshme kundër krimit të organizuar nga Shqipëri nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.
“Janë kryer dhjetra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktive në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv,” thanë ata në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Pas arrestimit të Safet Bajrit në Tiranë, Behar Bajrit në Holandë dhe Enver Bajrit në Spanjë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti një mori akuzash; mes të cilave përfshirje në gjobëvënie, lotari të paligjshme e trukim ndeshjesh si dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm mbi administratën shtetërore, krime që sipas saj u kryen në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Por gati dy vjet pas nisjes së hetimeve, drejtësia dështoi të vërtetonte ekzistencën e një grupi të strukturuar me emrin “Bajri”, ndërsa dosja po shkon drejt gjykatës me akuza të rrudhura dhe shumicën e të pandehurve në liri.
Dokumentet gjyqësore të siguruara nga BIRN tregojnë se rekordet kriminale në Europë dhe në Shqipëri të të akuzuarve u konsideruan të pamjaftueshme nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK – e cila pasi pushoi akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”, e përcolli dosjen në drejtim të Prokurorisë së Shkodrës në shkurt 2020.
Vendimmarrja e SPAK u bazua te kriteri numerik formal i bashkëpunimit mes tre anëtarësh- i përcaktuar në Kodin Penal si kusht për ekzistencën e grupit të strukturuar kriminal. SPAK argumenton se në të gjitha episodet [me përjashtim të trukimit të ndeshjeve] vërtetohej bashkëpunim vetëm mes dy anëtarësh.
Vendime të ngjashme të diskutueshme janë marrë më parë edhe për të ashtuquajturën dosja 184 mbi manipulimin e votave në Dibër apo për dosjen “Toyota Auris” të sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit.
Nga shkurti në maj 2020, dosja “Bajri” bëri disa herë ecejake mes Tiranës dhe Shkodrës para se Gjykata e Lartë të ndërhynte në konfliktin e kompetencës, duke i dhënë të drejtë SPAK-ut.
Prokurorët Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili nga SPAK e mbrojtën vendimmarrjen e tyre për rrëzimin e akuzave të grupit të strukturuar kriminal në një komunikim me BIRN.
“Vendimmarrja jonë është e bazuar në ligj dhe prova, ashtu si e tregoi edhe Gjykata e Lartë,” thanë ata.
Bashkëpunim dysh apo tresh?
Në vjeshtën e vitit 2018, Prokuroria e Krimeve të Rënda i nisi hetimet për grupin “Bajri” e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët kishin dyshime për përfshirjen e tyre në shfrytëzim prostitucioni, trafik droge dhe qeniesh njerëzore në disa vende të Bashkimit Europian.
Safet Bajri ishte dënuar dy herë në Belgjikë si anëtar i një grupi kriminal në fushën e prostitucionit, ndërsa ndaj vëllait të tij, Ilir Bajri rëndonte një dënim në Itali prej 5 vitesh e gjysmë burg për “trafik narkotikësh” dhe “shfrytëzim prostitucioni”.
I akuzuari si kreu i grupit, Enver Bajri u arrestua në Alicante të Spanjës më 27 tetor 2018, ndërsa ishte i armatosur me një pistoletë. Edhe ndaj tij rëndonte një dënim i mëparshëm në Itali për veprat penale të emigracionit të paligjshëm, shfrytëzimit të prostitucionit dhe falsifikimit.
Precedentët penalë të Behar Bajrit shtrihen gjithashtu herët në kohë, në fillim të viteve 2000, kur ai akuzohet se vrau gruan e tij të mitur si dhe një biznesmen në Shkodër. I arrestuar në Roterdam të Holandës, ai u ekstradua në Shqipëri në korrik 2019.
Behar Bajri dhe Ilir Bajri [Rustemi] ishin arrestuar më parë në Shkodër në vitin 2016, si të dyshuar për goditjen me armë të makinës me të cilën udhëtonte Donald Shtjefni. Megjithatë, akuzat u rrëzuan dhe ata u liruan pa pasoja.
Me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dosja i kaloi më 20 dhjetor 2019 Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Por brenda pak javësh, SPAK vendosi shpalljen e moskompetencës dhe ia kaloi aktet Prokurorisë së Shkodrës.
Prokuroria e Posaçme argumentoi se ndonëse të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, ata nuk kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për kryerjen e tyre –të paktën jo më shumë se dy veta për episod.
“Për të qenë para grupit të strukturuar kriminal kërkohet që të ekzistojë bashkëpunimi për kryerjen e një ose disa veprave penale, të paktën ndërmjet tre personave, në rast të kundërt, në qoftë se bashkëpunimi ekziston vetëm ndërmjet dy personave, nuk mund të jemi para grupit të strukturuar kriminal, por para formave të tjera të bashkëpunimit”, argumentojnë prokurorët e SPAK, Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili.
“…Për personat nën hetim Behar Brajoviq (Bajri), Enver Bajri, Safet Rustemi, Ilir RUSTEMI (BAJRI), Asmer Bilali, pavarësisht se hetohen për kryerjen e më shumë se një vepre penale, në asnjë rast nuk i kanë kryer veprat penale në bashkëpunim, me më shumë se dy persona, element formal por thelbësor për ekzistencën e grupit të strukturuar kriminal,” shtojnë prokurorët.
Prokurorët e SPAK arrijnë në përfundimin se të akuzuarit duhet të hetohen më tej nga Prokuroria e Shkodrës për veprat respektive, duke e konsideruar bashkëpunimin mes tyre të thjeshtë.
Gjykata e Shkodrës nuk e mikpriti këtë vendim dhe i ktheu dy herë aktet në Tiranë, deri në ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë.
Pingpongu në gjykata
Më 19 shkurt 2020, Gjykata e Shkodrës kundërshton vendimmarrjen e Prokurorisë së Posaçme dhe vendos t’i kthejë sërish aktet në Tiranë.
“Nga aktet e ndodhura në dosje, nuk rezulton që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar t´i jetë drejtuar gjyqtarit të seancës paraprake…me kërkesë për pushimin e akuzave përkatëse në ngarkim të të hetuarve, në zbatim të nenit 329/a të K.Pr.Penale,” thuhet në vendim.
Gjykata e Shkodrës argumenton më tej se neni 329 i Kodit të Procedurës Penale e detyron Prokurorinë që t’i drejtohet gjyqtarit paraprak në rastin e pushimit të një çështjeje apo pushimit të akuzave. Ajo shton në vendim se akuza për kryerjen e veprave penale në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal vazhdon të qëndrojë, përsa kohë nuk është pushuar nga gjyqtari i seancës paraprake.
Më 2 mars, gjyqtarja Iliriana Olldashi e Gjykatës së Posaçme nuk e pranoi këtë vendim dhe i ktheu administrativisht aktet në Shkodër.
Pingpongu vazhdoi një javë më vonë, kur zv. kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër ia pasoi dosjen Gjykatës së Posaçme me argumenton se Gjykata e Shkodrës kishte deklaruar më parë moskompetencën.
Më datë 12 mars, Gjykata e Posaçme shpalli sërish kompetencën dhe ngriti përpara Gjykatës së Lartë çështjen e mosmarrëveshjes për kompetencë lëndore me Gjykatën e Shkodrës.
Më 30 prill 2020, Gjykata e Lartë i jep të drejtë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo e fundit shton se në kushtet kur SPAK nuk ka më procedim penal pranë saj për këtë çështje, as kjo gjykatë nuk ka më lëndë, duke mos pasur më kompetencë lëndore.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë arsyet ligjore të mjaftueshme mbi të cilat e bazon mungesën e kompetencës së saj. Ndërkohë që një gjë e tillë nuk argumentohet në arsyetimin e vendimit nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila ka shpallur moskompetencën,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Zvarritja e hetimeve dhe konsumimi i 4 muajve në përplasje për kompetencën sollën djegien e afateve të paraburgimit për tetë të akuzuarit e grupit “Bajri”. Më 20 maj 2020, Gjykata e Shkodrës liroi nga qelia 5 prej të akuzuarve dhe zgjati me 1 muaj afatet për Behar Bajrin dhe vëllezërit Ilir dhe Safet Bajri [Rustemi]. [Lexo vendimin e Gjykatës]
Afatet e reja të paraburgimit për 3 personat e fundit të mbetur në burg skadojnë më 20 qershor. Por Prokuroria e Shkodrës zotohet që ta çojë çështjen në gjykatë përpara kësaj date.
Prokurori Xhevahir Lita i tha BIRN se çështja e Bajrave do të përfundohet brenda datës 20 qershor, kur skadojnë masat e sigurisë për Behar Bajrin dhe Ilir Bajri [Rustemin].
“Jemi në përfundim të hetimit. Së bashku me prokuroren tjetër dhe pesë oficerë të policisë gjyqësore jemi duke punuar, që t’i japim zgjidhje brenda datës 20 qershor dhe do ta dërgojmë për gjykim,” përfundoi prokurori i Shkodrës.