Buldozerët nisën të enjten punën për të shkatërruar një prej blloqeve të apartamenteve në periferi të Napolit, të lidhura me grupet kamorriste të zonës. Fadromat nisën punën me pallatin në formë anije, që ka shërbyer si bazë e shitjes së drogës dhe është përdorur edhe gjatë xhirimeve të serialit të famshëm “Gomorrah”. Pallati, i ndërtuar në vitet 1960-70, ishte shndërruar në simbol të varfërisë dhe dhunës në jugun e pazhvilluar të Italisë, ndërsa korridoret e ngushtë ishin “fushëbeteja” e klaneve kriminale.
“Shpresojmë që tani të na dhurohet një e ardhme, gjithmonë kemi dashur të përmirësojmë gjërat për fëmijët tanë”, thotë Vincenzo Montagna, i cili ka jetuar në zonë për 40 vite. “Duam të punojmë këtu, 80% e jona janë të ndershëm”.
Për të vënë në dukje mjerimin e periferisë së izoluar, Papa Françesku vizitoi zonën në vitin 2015, duke i bërë thirrje kamorristëve që të ktheheshin te dashuria, drejtësia dhe ndershmëria.
Tre prej kullave u shembën thuajse 20 vite më parë, ndërsa autoritetet kanë vendosur të shkatërrojnë edhe tre blloqe të tjerë, ndërsa e gjithë zona do t’i nënshtrohet rigjenerimit urban, me parqe, shkolla, dhe shtëpi për familjet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.
Por jo të gjithë janë të lumtur për këtë vendim. “Jam shumë e trishtuar”, thotë Vittoria Esposito, mësuese. “Fëmijëve u duket sikur po humbasin një mik të vjetër. Janë të vetëdijshëm për problemet, por u duket si një funeral”.