Gili Yoskovich ishte mes qindra të rinjve në një festival muzikor vallëzimi në Izraelin jugor, pranë Rripit të Gazës, kur persona të armatosur hapën zjarr në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ndërsa militantët palestinezë nisën një sulm të koordinuar ndaj Izraelit, sipas BBC.
Ajo përshkroi se si u fsheh nën një pemë në një fushë, ndërsa persona të armatosur endeshin për të qëlluar këdo që gjenin.
“Ishin… kudo me automatikë. Ata po qëndronin pranë makinave duke filluar të qëllonin, dhe kuptova se ishte shumë e lehtë të vriteshe…sepse të gjithë shkonin ngado. Terroristët vinin nga katër apo pesë vende… dhe ne nuk dinim ku të shkonim, kështu që unë u futa përsëri në makinën time dhe eca pak më shumë”, shton ajo.
“Disa njerëz po më qëllonin, lashë makinën dhe nisa të vrapoja, pashë një vend me shumë pemë dhe shkova atje. Isha në mes të kësaj fushe dhe isha shtrirë. Ishte streha e dytë që gjeta dhe ata ishin rreth meje”, thotë Gili.
“Ata shkonin pemë më pemë dhe gjuanin. Kudo. Nga dy anët. Pashë njerëz që vdisnin përreth, isha shumë e qetë, nuk qaja, nuk bëra asgjë. Merrja frymë duke thënë “në rregull, do të vdes. Në rregull, vetëm merr frymë, mbyll sytë, sepse qëllohej gjithandej, ishte shumë afër meje”, thekson vajza.
“Pastaj dëgjova terroristët që hapën një furgon të madh… dhe morën më shumë armë nga kjo makinë. Ata ishin në zonë për tre orë. Askush nuk ishte aty, askush”, shton ajo.
“Isha e sigurt se ushtria do të vinte, dëgjova disa helikopterë, isha e sigurt se ushtria do të zbriste me helikopterë dhe litarë dhe do të zbriste në këtë fushë dhe do të na shpëtonte. Por askush nuk ishte aty. Vetëm gjithë ata terroristë”, thekson Gili.
“Ishin shumë afër meje dhe më dridhej këmba, u përpoqa dhe bëra maksimumin, lëviza pak dhe kur ishin në këtë anë i dëgjova duke folur arabisht. Unë u përpoqa të jem më shumë nën pemë, kështu që ndoshta kur të vinin të shtënat, ato nuk do të më preknin fytyrën. Mbeta shtrirë atje për tre orë”, vijon ajo.
“Unë po mendoja vetëm për fëmijët e mi, shokun tim, për gjithçka dhe po thoja se nuk është koha për të vdekur për mua, ende jo. Pastaj fillova të dëgjoja pak hebraisht nga njëra anë, [por] arabisht nga tre anët dhe kuptova se kishte disa ushtarë, ndoshta pesë ose gjashtë”, rrëfen ajo.
“Vendosa të shkoj te këta ushtarë. Ndërkohë kishte ende terroristë përreth, kështu që unë po shkoja me duart lart që ata ta dinin se jam unë dhe nuk jam terrorist. Pastaj dikush po më fuste në një makinë. Unë isha e para që dola nga fusha. Të tjerëve iu deshën edhe dy ose tre orë të tjera për të dalë, pasi ishim në një festë për të rinjtë”, thotë ajo.
Shumë njerëz po vdisnin rrugës.
Kushdo që tentoi të ikte ata qëllonin nga të dyja anët.
Pra, më e mira ishte të fshiheshe.
“Gjëja më e çmendur është se si ne ishim atje për një kohë kaq të gjatë dhe askush nuk ishte atje. Pa ushtri, pa polici. Asgjë”, përfundon Gili Yoskovich që ishte mes qindra të rinjve në një festival muzikor vallëzimi në Izraelin jugor, pranë Rripit të Gazës.